TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Nëntor 2023, 15:20

Dyshohet se kreu krime lufte në Kosovë, arrestohet një shtetas serb

Shkruar nga Pamfleti

Dyshohet se kreu krime lufte në Kosovë, arrestohet një shtetas

Një shtetas serb është arrestuar nga policia e Kosovës pasi akuzohet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë.

Sipas njoftimit, i arrestuari është shtetasi me iniciale S.N, i lindur më 1964 në komunën e Vushtrrisë.

“Është ndaluar sot, më 18.11.2023, në Jarinjë, pasi dyshohet për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Prokuroria Speciale, që merret me rastet e krimeve të luftës, ende nuk ka ofruar informacione për këtë rast. Policia tha se i dyshuari pritet të merret në pyetje në prezencë të avokatit të tij mbrojtës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

lufte kosove

Lini një Përgjigje