
‘Dnevni Novice’ fliste dje për një “epokë të re të Austro-Hungarisë në Ballkan”, por që kësaj radhe do të orientohet nga Berlini. Një Ballkan ku Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria do të jenë nën një protektorat gjerman...
Nesër takohet në Ohër Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, sipas gjasave, për të diskutuar një marrëveshje finale për Kosovën. Siç e tha edhe dje zyrtari i lartë i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, SHBA dhe BE po e shtyjnë një marrëveshje finale Kosovë-Serbi deri në fund të këtij viti.
Po pse po shtyhet një marrëveshje finale kaq shpejt? Në fakt nuk se është shpejt, pasi ka 12 vjet që negocohet e diskutohet, por nuk ka qenë asnjëherë vullneti politik për të mbyllur një konflikt të ngrirë në mes të Europës.
Siç bëjnë të ditur burime diplomatike, i gjithë ky vrull ka vetëm një arsye: të mbyllet gjithçka përpara fillimit të fundit të konfliktit Ukrainë-Rusi. Kur palët mund të hyjnë në negociata. SHBA dhe BE nuk duan që Moska të ketë një kartë për Ballkanin, ose të paktën për Kosovën.
Sipas gjasave Putinit mund ti lihet vetëm një kartë për të lëvizur, ajo e Republika Srbskas, që natyrisht është shumë e vogël. Kur tashmë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë të NATO-s.
Pra në thelb po bëhet gjithçka, që të arrihet një marrëveshje, megjithëse Moska po bën presion në opozitën serbe për të mos arritur në një pakt final.
E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për opozitën e djathtë që financohet nga Kremlini, por edhe të tjerët që duan të mundin Vuçiçin me Kosovën. Sepse e dinë që jemi në një prag epokal: nëse Vuçiç e firmos dhe ja del të marrë shumicën e opinionit publik, çka është e mundshme, atëherë opozita aktuale, përkatësisht lidershipi aktual bie se nuk ka më kauzë. I vetmi i qartë në opozitën serbe është liberaldemokrati Çedomir Jovanoviç, që e cilësojnë si të çmendur e aventurier.
Por kjo i takon vetëm anës serbe të këndvështrimit. Pasi thelbi është: çfarë Kosove po vizatojnë SHBA dhe BE në këto ditë?
Siç bëjnë të ditur të gjitha mediat serioze në rajon, që nga kroatja ‘Jutarnih List’ e deri tek gazetat e njohura sllovene, por edhe ato serbe, bëhet fjalë për një Kosovë më pak amerikane. Një Kosovë, ku SHBA, edhe pse do të mbajnë kontrollin politico- ushtarak nëpërmjet NATO-s e kjo nuk ka diskutim, nuk do të jetë një republikë shqiptaro-amerikane.
Duket se SHBA, Gjermania dhe Franca kanë rënë dakord për një Kosovë, që të jetë nën influencën e Berlinit, por nga ana tjetër Franca të kontrollojë Serbinë.
Një Kosovë, që dukshëm do të ketë një Serbi brenda saj, e cila përveç katër komunave të veriut, pra asocacionit, do të ketë brenda edhe “Jeruzalemin serb” që përkatësisht janë manastiret e Pejës.
‘Dnevni Novice’ fliste dje për një “epokë të re të Austro-Hungarisë në Ballkan”, por që kësaj radhe do të orientohet nga Berlini.
Një Ballkan ku Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria do të jenë nën një protektorat gjerman.
Ku Berlini ka marrë ‘carta bianca’ nga Uashingtoni për të administruar këtë territor, pas braktisjes finale të furnizimit me gaz rus dhe kontratave të lidhura me gazin e lëngshëm amerikan.
Nuk është aspak rastësi goditja e rëndë që Merkel dha për krerët e UÇK-së që i dërgoi me dhunë në Hagë, por edhe mbështetja gjermane për Albin Kurtin. Siç nuk është aspak rastësi edhe vendimi për të mbajtur në Tiranë, samitin e procesit të Berlinit, i cili natyrisht, në detaje organizohet nga qeveria gjermane.
Po çfarë Kosove po kërkon Gjermania?
Këtë e bëri të ditur gazeta e ministrisë së Jashtme serbe dje, ‘Politika’, kur thoshte se kompleksin e Trepçës do ta administrojnë gjermanët. Trepça, sa për dijeni, është zona më strategjike në Ballkanin Perëndimor, pasi aty ndodhet një pasuri e rëndësishme e “dherave të rralla” që shërbëjnë si lëndë e parë për industrinë e re. Nikeli, kobalti, litiumi dhe lidhës të rinj që shërbejnë për bateritë e makinave, kompjuterave dhe telefonave.
Kjo tashmë është e vendosur, një kompani gjermane së bashku me një konsorcium serb do të kontrollojë si nxjerrjen, ashtu edhe përpunimin e pasurive të Trepçës.
Megjithatë çfarë Kosove do të jetë me një asocacion; në Republikë federale apo konfederale? Do të jetë një Bosnjë e re me një Republika Srbska në mes. Sipas gjasave do të jetë kështu, ku Zajednica do kontrollohet nga Beogradi, vetëm se me një ndryshim: në vend të Moskës, kancelaria që lëviz gurët do të jetë Berlini. Shqiptarët, përgjithësisht i besojnë Gjermanisë, por frika e tyre është, nëse do të kenë një Kosovë që është sovrane apo një vend ku këtë sovranitet e kontrollon Beogradi.
Me planin franko-gjerman, ku natyrisht është pjesë edhe asocacioni, kot që fshihet, Serbia do të ketë dorën e vet në Kosovë. Në komunat dhe kishat serbe. E ky fakt, nuk është se ndodh tani, por ka qenë prezent që në vitin 1999, që kur veriu u kontrollua nga Beogradi, e më pas ndërhyrja në skandalin e vitit 2004 e natyrisht kontrolli i Kishës Serbe. Nuk ka përse fshihet koka si struci: Serbia e ka kontrolluar Kosovën, qoftë legalisht nëpërmjet Paketës “Ahtisari” pra me postet aforfe, qoftë përmes ndikimit informal. Ndryshimi sot është se ky ndikim duhet të formalizohet, kaq e thjeshtë është.
Pra në thelb, Kosova e së ardhemes nuk do të jetë një Republikë shqiptare, por as shqiptaro-serbe, edhe pse është elementi i rëndësishëm serb brenda, duke nisur nga manastiret. Por kjo s’ka ndodhur sot, madje ka shekuj, Madje për nderin e shqiptarëve manastiret e kishat janë mbrojtur nga familjet shqiptare. Thjesht tani, duhet të mos përdoret retorika nacionaliste për hipokrizi, por ndërsa Serbia do të investojë shumë në arsim e në kulturë, pra trashëgimi, Kosova, pra shqiptarët, të bëjnë edhe më shumë për të treguar këtë trashëgimi. Pak a shumë çfarë bëri Enveri, por në një logjikë më moderne dhe më pak ideologjike. / Pamfleti