
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar që sot dështimin e tryezës së Ohrit me Albin Kurtin të shtunën. Ndonëse pritej që në këtë takim të pranohej pakti franko-gjerman, në fakt presidenti serb se ka bërë të qartë se nuk do e bëjë një gjë të tillë.
Sipas tij, ndonëse pala kosovare dhe ajo serbe kanë dorëzuar propozimet e tyre, asnjë draft nuk ka mbërritur nga ana e Bashkimit Europian për zbatimin e planit europian që do të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Më tej, Vuçiç tha se takimi me Kurtin nuk do të jetë një “ditë gjykimi”, dhe premtoi se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë.
“Të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, t’i ndërtojmë marrëdhëniet më të mira me Bashkimin Evropian dhe t’u përmbahemi fuqishëm vijave tona të kuqe. Nga kjo nuk heq dorë”, tha Vuçiç në një fjalim drejtuar kombit.
Në fjalën e tij për publikun, ai tha se problemi nuk është se çfarë do të firmosë, por nëse do ta bëjë.
“Dhe në fakt askush nuk shpreson se do të nënshkruaj diçka, sepse askujt nuk i intereson Kosova dhe Metohia, e vetmja gjë që u intereson është pushkatimi publik i Presidentit të Serbisë. Ata që organizojnë protesta shpresojnë që unë të nënshkruaj që të më kërkojnë kokën në pjatë”, tha Vuçi.
Ai ka thënë se në bisedimet që ka pasur me Escobarin dhe Lajçak ka deklaruar se nuk heq dorë nga Asociacioni. Sipas tij, pakti është firmosur dhe duhet zbatuar.
"Asociacioni do të lidhë komunitetet serbe ose 97 për qind të komuniteteve serbe në një tërësi të vetme”, theksoi Vuçiç.
Më tej ai u shpreh se në Ohër nuk do të ketë ditë fatale, pasi ai do të përpiqet të bëjë më të mirën për Serbinë dhe të vazhdojë të punojë për normalizimin e marrëdhënieve.