TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Shkurt 2026, 13:03

Haga kërkon 45-vite burg për Hashim Thaçin, revoltohet Vlora Çitaku: Nuk mund të dënohet lufta për liri

Shkruar nga Pamfleti
Haga kërkon 45-vite burg për Hashim Thaçin, revoltohet Vlora
Vlora Çitaku

Pretenca e Prokurorisë Speciale për ish presidentin Hashim Thaçin, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi ka shokuar Kosovën dhe jo vetëm.

Deputetja Vlora Çitaku, ka reaguar duke theksuar se lufta për liri dhe dinjitet njerëzor nuk mund të kriminalizohet.

“Nuk mund të denohet lufta për liri. Nuk mund të kriminalizohet lufta për dinjitet njerëzor dhe kombëtar. Historia nuk rishkruhet me padrejtësi. Drejtësia vonon, por e vërteta mbetet. Drejtësi! Liri!”, shkruan Çitaku në X.

Reagimi i saj vjen në një moment kur Prokuroria e Specializuar ka përfunduar deklaratat përmbyllëse, duke kërkuar dënime të rënda për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, si dhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen për krime lufte.

Prokurorja Kimberly West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.
Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh West.

vlora Çitaku hashim thaçi

Lini një Përgjigje