Kosova 3 Tetor 2023, 08:07

Sulmi terrorist në veri, Parlamenti Europian zhvillon sot seancë të posaçme për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi terrorist në veri, Parlamenti Europian zhvillon sot seancë

Parlamenti Evropian do të mbajë sot një seancë ku do të diskutojë lidhur me sulmin terrorist më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Po ashtu pritet edhe miratimi i një rezolute.

Në njoftimin e Parlamentit Evropian bëhet e ditur se debati për Kosovën pritet të nisë pas orës 15:00.
Eurodeputeti Tonino Picula, njëri ndër iniciatorët e debatit në një postim në X tha se dënojnë agresionin e fundit të një bande të armatosur terroriste kundër policëve të Kosovës.

“Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, shkruan ai.

Tonino po ashtu njofton se me kërkesë të tyre, PE pritet të miratojë një rezolutë për Kosovën dhe Serbinë.

Çfarë ndodhi të dielën e 24 shtatorit?

Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë.

Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë.

Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. 

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare. Pesë ditë pas sulmit, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Sulmi në veri ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiçi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.

sulmi terrorist ndaj policisë së kosovës parlamenti europian