
Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e të hënës qytetin e Lipjanit në Kosovë, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën gjatë shoqërimit nga Policia.
Pesë efektivë policorë u arrestuan si të dyshuar për vdekjen e të riut, Agron Zejnullahu, i cili ndërroi jetë në orët e para të 7 korrikut, në rrugën “Haradin Bajrami”.
Lidhur me ngjarjen janë ngritur dyshime ndërsa oficerët e policisë u pezulluan nga detyra pasi akuzohen për “vrasje nga pakujdesia”.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me makinë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Pas thirrjes së qytetarëve, efektivët e policisë ndërhynë për ta arrestuar duke i vendosur prangat. Sipas policisë, 27‑vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi hetimet dhe sugjeroi pezullimin e pesë zyrtarëve të policisë.
IPK ka njoftuar se janë duke u shqyrtuar kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime për përdorim të tepruar force nga ana e policisë. Vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka deklaruar ne media se vëllain e tij e vrau dora e shtetit duke kërkuar drejtësi dhe hetim të plotë të rastit.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, u shpreh ai.
Sipas vëllait të ndjerit, për vdekjen e 27-vjeçarit dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai shprehet se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…”.
Kurse njëra nga mjeket e emergjencës e cila ishte në vendin e ngjarjes, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse.
“Mbrëmë e kemi pas një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika”, tha ajo.
Sipas saj, stafi mjekësor nuk ishte njoftuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo pa shenja jete.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Pritet që raporti i autopsisë të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së 27-vjeçarit.
Lini një Përgjigje