Kosova 8 Qershor 2023, 22:25

Kosova, “viktimë” e Perëndimit për të shkëputur Serbinë nga Rusia e Kina

Shkruar nga Pamfleti

Kosova, “viktimë” e Perëndimit për të

Hezitimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ta goditur Serbinë pas tensioneve të fundit në veri vjen për shkak të tentativës që atë ta shkëpusin përfundimisht nga ndikimi rus e kinez, kanë thënë analistë amerikanë. Sipas ekspertëve për Ballkanin, Daniel Serwer e David Philips, karotat e Perëndimit për Serbinë nuk janë duke funksionuar, teksa e cilësojnë të padrejtë presionin që po i bëhet vetëm Kosovës për situatën në veri.

Synimi i Perëndimit për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus e kinez ka bërë që ShBA-ja ta rrisë presionin mbi Kosovën, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Duke komentuar tensionet e fundit në veri, për të cilat ShBA-ja e BE-ja e fajësuan Qeverinë e Kosovës, ekspertë amerikanë për Ballkanin thonë se acarimi i raporteve Kosovë-SHBA ka shkuar aq larg saqë do të duhet shumë kohë për rikuperimin e tyre.

Ish-diplomati Daniel Serwer thotë se amerikanët dhe evropianët kanë vendosur se është më e rëndësishme t’i ofrojnë Serbisë karota për t’u kthyer kah Perëndimi sesa të jenë ndihmues për Kosovën.

Perëndimi e do një Serbi të shkëputur nga Moska dhe Pekini. Por kjo nuk po funksionon, sepse vetëm me karota nuk mund të arrihet kjo. Duhet gjithashtu t’i bëhet presion Beogradit. Mendoj se presioni ndaj kryeministrit Kurti vjen nga dy burime – i pari është jofleksibiliteti aktual, kurse i dyti, armiqësia e gjatë ndaj tij në Washington”, ka thënë Serwer.

Veç ndërlidhjes me situatën në Ukrainë, sipas Serwerit, ka edhe zhvillime tjera për të cilat ShBA-ja e BE-ja janë duke e ledhatuar Serbinë.

Njëri motiv duket të jetë fakti se Serbia po dërgon armë në Ukrainë dhe kjo me gjasë i shtynë SHBA-në dhe BE-në të hezitojnë për ta goditur Vuçiqin. Por, nuk besoj se ky është motivi kryesor. Mendoj se motivi kryesor veçanërisht i amerikanëve është premtimi se Serbinë mund ta kthejnë kah Perëndimi përmes karotave. Por, kjo nuk po funksionin dhe prandaj ata duhet ta fajësojnë sa më shumë që është e mundur Kosovën”, ka shtuar ai.

Për Serwerin, çështje e kryetarëve në veri nuk është problemi kryesor. Sipas tij, lufta po bëhet për kontroll të asaj pjese.

Unë i shoh ato si çështje të vogla të përziera brenda një problemi shumë më të madh, që është kontrolli mbi veriun. Natyrisht, Kurti ka të drejtë kur thotë se Policia duhet të jetë në gjendje të shkojë në tërë territorin e vendit, nuk ka dilema për këtë dhe se kryetarëve duhet t’u mundësohet të shkojnë në zyrat e tyre. Amerikanët duan që ata të shkojnë në zyra tjera, edhe pse nuk e di nëse do të ishin më të sigurt në zyrat tjera. Ata mund të sulmohen kudo që shkojnë, sepse Beogradi këtë e dëshiron. Pra, kjo është çështja kur vjen tek marrëdhëniet mes Prishtinës e Beogradit. Nuk ka të bëjë me punën e kryetarëve në zyrat e tyre në veri”, ka potencuar Serwer.

Phillips: Shkopi po përdoret vetëm ndaj Kosovës

Ndërkaq drejtori i programit për paqe dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Kolumbias, David Phillips, thotë se Qeveria e Kosovës përmbushi vetëm një detyrim ligjor, teksa presionin mbi kryeministrin Kurti e cilëson jo të drejtë.

Është e saktë që shkopi po përdoret kundër Kosovës. Kosovës duhet t’i jepen stimuj për ta përshtatur kursin e saj me shpërblime të përshtatshme për qeverinë e Prishtinës për bashkëpunimin me SHBA-në. Kryetarët e komunave u zgjodhën siç duhet dhe duhet të ulen në zyrat e tyre të ligjshme. Çdo gjë më pak minon sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Strukturat paralele duhet të shpërbëhen në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë efektive. Në vend që të ushtrojë presion vetëm ndaj Kurtit, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që të luajë sipas rregullave”, ka thënë ai.

Gjatë vizitës në Prishtinë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se moskoordinimi me ShBA-në për vendosjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri do të ketë pasoja për Prishtinën. E, pasoja e parë ishte përjashtimi për këtë vit i FSK-së nga aktiviteti ushtarak “Defender Europe 2023”.

Megjithëkëtë Escobar theksoi se Washingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por nuk mbështet një individ “që nuk ka instinkt bashkëpunimi”.

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, vlerëson se Kosova duhet të jetë e shqetësuar për raportin e krisur me ShBA-në.

Kështu që më duket se po vjen koha për një rifillim të marrëdhënies miqësore mes Prishtinës dhe Washingtonit dhe mes Prishtinës e Brukselit. Ajo që saktësisht duhet të ndodhë nuk mund ta them nga kjo distancë, por mendoj se Prishtina duhet të jetë e shqetësuar se gjërat po u dalin nga duart dhe ato duhet të rikuperohen”, ka thënë Serwer.

Duke iu referuar qëndrimeve të fundit të diplomatëve amerikanë, David Phillips vlerëson se do të duhej kohë për rikuperimin e marrëdhënieve Kosovë-ShBA.

SHBA-ja nuk ka mik më të mirë se Kosova dhe Kosova nuk ka mik më të mirë se SHBA-në. Na duhet kohë për t’u qetësuar dhe për ta rikthyer marrëdhënien në rrugën e duhur”, ka deklaruar Phillips.

Serwer: Problemet në veri vijnë nga serbët që i dërgon Beogradi

Tri kërkesat e BE-së e ShBA-së për shtensionimin e situatës janë largimi i kryetarëve nga objektet komunale në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetar komunash, si dhe rinisja e angazhimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas Serwerit, Qeveria e Kosovës duhet ta konsiderojë përmbushjen e këtyre kërkesave, në mënyrë që fokusin ta rikthejë tek çështjet kryesore.

Ka kompromise që janë të mundshme, sikurse zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe këtu lypen koncesione prej Vuçiqit. Ky është një hap i mundshëm në drejtimin e duhur. Hapi tjetër është tërheqja e policisë jo nga gjithë territori i veriut, por vetëm nga ndërtesat kryesore të komunave dhe të shikohet mundësia që aty të jetë KFOR-i”, ka potencuar Serwer. “Pra, janë disa kompromise që po të isha atje do t’i konsideroja. Mendoj se nuk është mirë të mbyllemi në çështje të vogla sikurse ishin për shembull targat e automjeteve. Por të ruhet përqendrimi tek çështjet e mëdha sikurse riintegrimi i veriut dhe për këtë Prishtina duhet të punojë fort me serbët që jetojnë në veri”, tha ai.

Sipas Serwerit, shumica e problemeve në veri nuk vijnë për shkak të serbëve të Kosovës që jetojnë atje, por nga serbët që dërgohen nga Beogradi në veri, për të shkaktuar telashe.

Duhet bashkëpunuar me Vuçiqin për të frenuar këta njerëz dhe të ndalojë së kërkuari atyre që të shkaktojnë telashe. Qëndron fakti se është ai (Vuçiqi) që nisi tensionet prandaj Washingtoni dhe Brukseli duhet të bëjnë më shumë presion për ta zhveshur Serbinë”, është shprehur Serwer.

Prej 29 majit serbët në tri komunat veriore – Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. /Koha.net

kosova perendimi