Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje mes partive politike në Kosovë për zgjedhjen e presidentit, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja për herë të tretë në më pak se një vit e gjysmë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së theksoi nevojën për stabilitet institucional dhe dialog politik.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha ai.
Zëdhënësi shtoi se BE-ja ka bërë vazhdimisht thirrje për përgjegjësi politike dhe bashkëpunim mes aktorëve kryesorë.
Kriza politike u thellua pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, çka çoi në shpërndarjen e tij më 28 prill, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike kanë dështuar. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ka tentuar të gjejë kompromis me opozitën, por pa rezultat. Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimet e mazhorancës, duke thelluar ngërçin institucional.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar dhe pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në sallë, një kusht që nuk u përmbush në seancën e fundit.
Ditën e djeshme, kreu i KQZ, Kreshnik Radoniqi, tha se organizimi i zgjedhjeve kërkon kohë dhe përgatitje të konsiderueshme, duke e cilësuar procesin si jo të lehtë.
Pas një takimi me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Radoniqi deklaroi se data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është 7 qershori, ndonëse në shqyrtim mbeten edhe alternativa të tjera.
“Sa më vonë. Çështja e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, por besoj se do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data janë përmendur, 31 maji ose 7 qershori. Për mendimin tonë është 7 qershori, por vendimi i takon presidentes”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje