Kombëtarja e Francës ka përdorur gjatë Kupës së Botës shërbimet e kompanisë ajrore charter Global Crossing Airlines (GlobalX), e cila ndodhet në qendër të polemikave për përfshirjen e saj në programin e deportimeve masive të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Lajmi bëhet i ditur nga një investigim i publikuar nga “The Guardian”.
Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, skuadra franceze ka kryer të paktën tre fluturime të brendshme me GlobalX gjatë lëvizjeve mes ndeshjeve të Botërorit dhe qendrës së saj stërvitore në Boston.
Hetimi thekson se e njëjta kompani ka realizuar më shumë se gjysmën e fluturimeve të organizuara nga Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE) për deportimin e emigrantëve gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Sipas një hetimi të mëparshëm të “The Guardian”, avionët e GlobalX janë përdorur për transportimin e mijëra emigrantëve të ndaluar, si brenda territorit amerikan ashtu edhe drejt vendeve të tjera. Raporti përmend raste kur personat e deportuar nuk janë informuar për destinacionin e fluturimit, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se janë transportuar me pranga në duar dhe këmbë. Disa nga këto fluturime kanë pasur destinacion edhe burgun e sigurisë së lartë Cecot në El Salvador.
Të dhënat e organizatës ICE Flight Monitor tregojnë se avioni me të cilin udhëtoi kombëtarja franceze pas ndeshjes ndaj Paraguait ka kryer 44 fluturime të lidhura me deportimet vetëm gjatë këtij viti, ndërsa që nga viti 2022 ka marrë pjesë në rreth 950 misione të tilla.
Po sipas hetimit, i njëjti avion ishte përdorur vetëm pak ditë përpara fluturimit të ekipit francez për transferimin e emigrantëve të ndaluar nga një qendër paraburgimi në Arizona drejt Luizianës.
“Është e zakonshme që kompani të tilla ajrore të alternojnë fluturimet për ICE me fluturime private charter për klientë të tjerë, përfshirë ekipe sportive, brenda së njëjtës javë apo edhe të së njëjtës ditë”, deklaroi Sierra Randolph, menaxhere e të dhënave pranë ICE Flight Monitor.
Investigimi nisi pasi në profilin zyrtar të kombëtares franceze në Instagram u publikua një video ku lojtarët, mes tyre edhe sulmuesi i Bajermit të Mynihut, Majkëll Olize, shfaqeshin duke hipur në avion pas fitores 1-0 ndaj Paraguait. Në pamje ishte e dukshme logoja e GlobalX, ndërsa analiza e të dhënave në platformën Flightradar24 konfirmoi identitetin e avionit.
Çështja ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të qëndrimeve publike të disa futbollistëve francezë, veçanërisht kapitenit Kilian Mbape, i cili prej vitesh është shprehur kundër forcave të ekstremit të djathtë në Francë. Edhe lojtarë të tjerë të kombëtares, si Osman Dembele, Zhul Kunde dhe Markus Turam, kanë mbajtur më parë qëndrime të ngjashme.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Franca nuk është e vetmja skuadër që ka përdorur shërbimet e GlobalX gjatë Kupës së Botës 2026. Edhe kombëtaret e Anglisë dhe Iranit raportohet se kanë udhëtuar me avionë të kësaj kompanie charter.
Lini një Përgjigje