Kosova 5 Prill 2023, 09:09

Kurti tjetër takim me Vuçiç më 22 Prill, kryenegociatori Bislimi zbulon draftin e ri që do të prezantohet

Shkruar nga Pamfleti

Kurti tjetër takim me Vuçiç më 22 Prill, kryenegociatori

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe  kryenegociatori,  Besnik Bislimi ka bërë të ditur se më 22 prill pritet që të ketë takim të nivelit të lartë politik mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Bislimi pati takimi në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, ku folën për  çështjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe për çështje të tjera aktuale.

Ai tha se më 22 prill pritet që të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit.

“Ideja është që me këtë datë pra në 22 prill,  të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit. Ka pak paqartësi në atë se si duhet të eci proçedura e kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht, dhe si duhet të prezantohet”, tha Bislimi.

Ai shtoi se ka indikacione që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk është i gatshëm për takim të nivelit të lartë më 22 prill, teksa shtoi se janë duke shqyrtuar edhe datë tjetër alternative.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, janë takuar ditën e djeshme në Bruksel, ku kanë  diskutuar për hapat e ardhshme në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për tekstin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt. Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

kosova serbia be