TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Mars 2026, 16:45

Nipi i Adem Jasharit në Presidencë? Albin Kurti: Do të ishte figura ideale

Shkruar nga Pamfleti
Nipi i Adem Jasharit në Presidencë? Albin Kurti: Do të ishte
Murat Jashari-Kurti

Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se Murat Jashari, nga familja e heroit Adem Jashari, do të ishte figura ideale për postin e presidentit të vendit. Sipas tij, nëse partitë politike nuk arrijnë të gjejnë një kandidat unifikues, atëherë një alternativë mbetet që secila parti të propozojë kandidatin e vet dhe gara të zhvillohet në Kuvend.

Kurti i bëri këto deklarata në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, duke theksuar se, në kushtet aktuale gjeopolitike, Kosovës i nevojitet një figurë që ofron stabilitet dhe siguri.

“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”, është shprehur Kurti, duke përmendur si faktorë ndikues luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përfshirë ngjarjet në Banjskë dhe sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Megjithatë, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, kanë deklaruar më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për postin e presidentit, duke lënë të hapur vetëm mundësinë e shqyrtimit të një kandidature në raste të jashtëzakonshme.

Kurti ka theksuar se nëse nuk arrihet një konsensus për një figurë që siguron të paktën 80 vota në Kuvend, atëherë një nga opsionet është gara e hapur mes kandidatëve të propozuar nga secila parti.

“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secila parti të propozojë kandidatin e vet për president dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 vota në rundin e tretë, nga 120 deputetë në total.

LVV-ja ka aktualisht 57 deputetë, ndërsa për të propozuar një kandidat kërkohen 30 nënshkrime. Partitë e tjera kanë më pak se 30 deputetë secila.

Deklarata e Kurtit vjen pasi kreu i PDK-së, Bedri Hamza, kishte propozuar që emri i presidentit të vijë nga partia e tij, pa përmendur një kandidat konkret. Ndërkohë, presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por emri i saj nuk është përmendur nga LVV-ja, ndërsa partitë opozitare e kanë kritikuar shpesh për njëanshmëri.

Gatishmëri për kandidim kanë shprehur edhe Arsim Bajrami dhe Ramush Haradinaj, por deri tani pa mbështetje të gjerë politike.

Kurti ka paralajmëruar se do të diskutojë sërish për këtë çështje me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm pak javë pas formimit të Qeverisë së re. Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që të shmanget një skenar i tillë dhe që prioritet t’i jepet stabilitetit institucional.

albin kurti lvv

Lini një Përgjigje