TAGS-AT E JAVËS

Kosova11 Tetor 2025, 12:17

Osmani mandaton Kurtin si kryeministër, 15 ditë afat për qeverinë e re

Shkruar nga Pamfleti
Osmani mandaton Kurtin si kryeministër, 15 ditë afat për
Albin Kurti-Vjosa Osmani

Kurti ka 15 ditë afat nga dita e dekretimit, që kryeministri t’i paraqesë Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin që mandatin Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin për media, thuhet se ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese Kurtit, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftim.

Sipas Kushtetutës, i mandatuari për formimin e Qeverisë, është i detyruar që jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

Pas ngërçit politik që zgjati për 8 muaj, Kuvendi i Kosovës u konstituua, duke i hapur rrugë formimit të qeverisë së re. Deputetët e dalë nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt votuan ditën e djeshme për nënkryetarin e pestë të Kuvendit, atë të pakicës serbe, duke zgjedhur Nenad Rashiç në këtë post.

Rashiç, nga partia serbe "Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë", mori 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime. Ai u mbështet nga LVV dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës abstenoi, ndërsa Lista Serbe votoi kundër kandidaturës së tij. 

Pasi 9 kandidatët e propozuar më herët nga Lista Serbe nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, aktivizoi mekanizmin zhbllokues të shortit, që përdoret pasi dështojnë të votëbesohen kandidatët e propozuar. Duke qenë se Rashiç ishte emër i vetëm, shorti u anulua dhe u votua direkt. Më pas, Basha deklaroi se Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Lini një Përgjigje