Pas dështimit për të marrë një mandat të dytë si Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, mandati i së cilës mbaron më 4 prill, pritet të që rikthehet në politikë. Shenjat e para flasin për një rikthim të saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka thënë se bashkimi me presidenten Vjosa Osmani do të ishte i dobishëm për vendin. Ai tha se më specifiksisht për këtë çështje mund të flasë pasi që Osmanit t’i skadojë mandati.
“Përderisa zonja Osmani është presidente e vendit, dhe për 25 ditët e ardhshme, i bëjmë nder Republikës dhe institucionit nëse nuk e përfshijmë në çështje partiake. Pas kësaj kohe, mund te flasim me specifikisht. Padyshim, përbashkimi eventual në një vizion të përbashkët do të ishte i dobishëm për vendin”, ka thënë Abdixhiku në një përgjigje për KOHËN.
Abdixhiku më herët ditën e sotme me një shkrim në Facebook bëri thirrje për bashkim të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike, duke theksuar nevojën për tejkalimin e dallimeve dhe përqendrimin në të ardhmen e vendit.
Ai ka thënë se thirrja për bashkim nuk vlen për PDK-në dhe AAK-në. Abdixhiku ka paralajmëruar se do të nisë një proces të bashkimit politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, që sipas tij duhet të tejkalojë dallimet, ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës.
Lini një Përgjigje