TAGS-AT E JAVËS

Kosova11 Mars 2026, 16:16

Vetëvendosje thirrje ambasadorëve: Mos ndërhyni te Gjykata Kushtetuese!

Shkruar nga Pamfleti

Vetëvendosje thirrje ambasadorëve: Mos ndërhyni te Gjykata

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga ambasadorët e huaj në Kosovës që të mos ndërhyjnë në punët e Gjykatës Kushtetuese. Ishte deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ai që u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Me anë të një shkrim në ‘Facebook’ të mërkurën, ai ka deklaruar se ndërhyrjet e mundshme përmes vizitave apo takimeve mund të dëmtojnë rëndë institucionin më të lartë kushtetues në vend.

“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, tha Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Kujtojmë se më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij.

Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit erdhi pas dështimit që më 5 mars të zgjidhet presidenti i ri. Në seancën e 5 marsit, LVV-ja i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, meqë mandati i saj përfundon më 4 prill, por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Por, partia në pushtet ka pretenduar se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj u ankua në Kushtetuese.

kushtetuesja ambasador

Lini një Përgjigje