Analiza paraprake e inteligjencës bën me dije se personat e përfshirë në përleshjen vdekjeprurëse pranë fshatit Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator, ishin të lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse...
Terrori përfshiu një fshat të vogël në veri të Kosovës të dielën e kaluar, duke shkaktuar tensione të reja në një pjesë të trazuar të vendit.
Të paktën 30 sulmues të armatosur bllokuan një rrugë në fshatin Banjska të mbizotëruar nga serbët në veri të Kosovës dhe më pas sulmuan një manastir ortodoks. Si pasojë e konfliktit u vranë 3 persona.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Pasi policia fillimisht zmbrapsi sulmin, sulmuesit, të veshur me veshje ushtarake dhe me maska në fytyrë, u barrikaduan në një manastir ortodoks serb ku dyshohet se mbaheshin peng murgjit dhe pelegrinët.
Përleshja nisi në orët e hershme të mëngjesit të së dielës kur dy kamionë pa targa bllokuan një urë që të çon në Banjskë. Policia mbërriti dhe u prit me një breshëri zjarri me armë të rënda.
Policia e Kosovës konfiskoi një automjet të rëndë të blinduar, 24 automjete SUV, 29 granatahedhës antitank, 150 dinamit shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, shtatë granatahedhës raketash dhe tetë mina antitank, dhe më shumë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Policisë Gazmend Hoxha.
Inteligjenca amerikane po thotë se grupi terrorist që sulmoi veriun këtë fundjavë është i ndërlidhur me forcat speciale serbe dhe me inteligjencën ushtarake ruse.
Kështu së paku ka deklaruar për “Fox News Digital” Rebekah Koffler, presidente e “Doctrine & Strategy Consulting” dhe një ish-oficere e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së ShBA-së.
“Analiza paraprake e inteligjencës bën me dije se personat e përfshirë në përleshjen vdekjeprurëse pranë fshatit Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator, ishin të lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse. Sulmuesit dukeshin të trajnuar profesionalisht dhe disa prej tyre flisnin serbisht dhe rusisht. Ndërsa prania e mercenarëve të Wagner-it nuk mund të konfirmohej, nuk e përjashtoj mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në këto ngjarje të fundit”, tha Koffler.
Koffler paralajmëroi gjithashtu për ndërhyrjen ruse: “As Rusia dhe as Serbia, të cilët janë aleatë të vendosur, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është qëllimi i tyre afatgjatë për të ndryshuar situatën. Ka indikacione se Rusia dhe Serbia po punojnë së bashku për të ndezur një konflikt tjetër masiv serbo-shqiptar, për të krijuar justifikim për dislokimin e forcave serbe për të siguruar ‘paqe dhe stabilitet’”.
“Operacionet e fshehta të destabilizimit të kryera nga grupe mercenare si Wagner janë një zanat i vjetër standard i përdorur nga Putini kur ai ka nevojë për të fshehur dorën e qeverisë ruse. Do të ishte në përputhje me doktrinën ruse të përshkallëzimit anësor nëse Putini do ta ndihmonte Vuçiqin për të zhvilluar një fushatë destabilizimi në Kosovë për të larguar vëmendjen e Uashingtonit dhe forcave të NATO-s nga Ukraina. Ajo që Putini ka më shumë frikë është vendosja e forcave të NATO-s në arenën në Ukrainë”, shtoi ajo.
Për “Fox News Digital” ka folur edhe ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli. Ai u shpreh i bindur se Beogradi është përgjegjës për sulmin e fundit në veri.
“Nuk ka dyshim se Beogradi është plotësisht përgjegjës për nxitjen dhe sponsorizimin sistematik të dhunës kundër institucioneve demokratike të Kosovës”, tha Dugolli. /Fox News
Lini një Përgjigje