Pas Gjermanisë edhe Franca i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti angazhim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Në letrat e tyre të urimit pas rizgjedhjes së Kurtit në krye të Qeverisë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë shprehur mbështetjen e tyre në këtë proces.
Macroni theksoi se Franca do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës dhe do t’i mbështesë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Më tej në letër thuhej se Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e ndërmarra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në letrën e Macronit.
Lini një Përgjigje