
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të premten pasdite ka hyrë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për një takim, ka raportuar “EkonomiaOnline”.
Takimi i Abdixhikut vjen pas njoftimit të Ambasadës amerikane për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, shkaku i veprime dhe deklaratave të Qeverisë në detyrë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook pas vendimit, Abdixhiku kishte thënë se është koha të bëhemi bashkë për t’i dhënë fund kësaj çmendurie politike. dhe për të rikthyer vendin në rrugën e arsyes dhe stabilitetit.
"Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran. Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.
Populli i Kosovës nuk është si ta. Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta. Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë. LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë. Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!", shkroi më herët Abdixhiku.
Lini një Përgjigje