
Është përcjellë sot drejt banesës së fundit ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi.
Ceremonia mortore u mbajt në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka mbajtur edhe një fjalim, duke vlerësuar figurën e Bukoshit si “kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së Kosovës që funksiononte si republikë rezistencë”.
Vajza e Bujar Bukoshit, Shota tha se ai ishte mbështetës, i guximshëm dhe me vizion.
Gjithashtu edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja nderoi jetën dhe veprën e tij ndërsa u shpreh se në bisedat me Bukoshin donin një Kosovë ndryshe.
"E nderuara familje e doktorshit, ish kryeministër i Republikës së Kosovës, posaçërisht e nderuara bashkëshorte, doktoresha Zana dhe vajzat Oda, Shorta, Mita, të nderuar miq, dashamirë, kolegë e bashkëpunëtorë të doktor Bujarit, të nderuar të pranishëm, jemi mbledhur këtu sot bashkë që t’ia japim lëmë të mirën e fundit doktor Bujar Bukoshit, kirurgut të shquar, por mbi të gjitha kryeministrit të parë dhe të fundit të Republikës së parë të Kosovës që funksiononte si republikë rezistencë.
Doktor Bujarin e karakterizonte guximi i paepur dhe dashuria e pafund. Si kombinim i këtyre dy vlerave të tij, ai pranoi detyrën në 12 tetor të vitit 1991 nga presidenti historik Ibrahim Rugova, që të jetë kryeministër i Kosovës.
Për një dekadë e udhëhoqi qeverinë e Republikës në ekzil. Me këtë rast punoi e kontribuoi aq shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, posaçërisht për të vërtetën e Serbisë në Kosovë, si një shtet pushtues, agresor, por edhe shovinist antihqiptar.
Shkelja e të drejtave të njeriut, të drejtave qytetare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës filloi që të jehojë në mediat evropiane dhe në kancelaritë botërore, duke iu falënderuar në veçanti ish-kryeministrit Bujar Bukoshi dhe bashkëpunëtorëve të tij të qeverisë.
Por doktor Bujari ishte aktiv edhe në Kosovë, ndonëse nuk ndodhej në Kosovë. Arsimi në shqip, i cili ishte në ballë të rezistencës, asistenca sociale, shëndetësia, mirëmbaheshin nëpërmjet këshillave dhe nënkëshillave të financimit që vepronin përditë anën e Bankës së Kosovës", tha Kurti.
Bujar Bukoshi u nda nga jeta të martën, në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të pashërueshme.

Lini një Përgjigje