Kosova 7 Maj 2023, 17:24

Përkujtohet beteja e Çabratit, Osmani: Dëshmorët e UÇK, vula e përjetësisë së shtetit

Shkruar nga Pamfleti

Përkujtohet beteja e Çabratit, Osmani: Dëshmorët e

Kosova ka përkujtuar sot 24-vjetorin e betejës së Çabratit, ku 26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e afro 100 banorë civilë u vranë nga forcat serbe. Ndërsa mbi 300 u rrëmbyen me dhunë.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë vula e përjetësisë së shtetit.

26 luftëtarë të Brigadës 137 ‘Gjakova’, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t`u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët tri ditë rresht iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë. Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë. Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë dhe do t`i kujtojmë përherë me respekt”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, u shpreh se sot përkujtohen djemtë dhe vajzat që luftuan në këtë betejë. Ai ka përmendur luftimet e Brigadës 137 “Gjakova”, e cila i doli në mbrojtje civilëve, duke luftuar me forcat serbe deri më 11 maj.

Në mbrojtje të civilëve doli Brigada 137 “Gjakova”. Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë. Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme. Sot kujtojmë djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit. Kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha për çlirim! I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës”, ka shkruar Kurti.

osmani beteja e Çabratit