
Shkeljet, Kurti ja u ka vënë në tryezë zyrtarëve të BE në takimin e 2 majit...
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duket se po hyn sërish në ujëra të turbullta. Takimi i kësaj jave nuk dha shumë rezultat dhe molla e sherrit është Asociacioni. Por pavarësisht kësaj, Prishtina pretendon se Beogradi e ka shkelur hapur paktin e Ohrit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke publikuar një përmbledhje në gjuhën shqipe, të të gjitha shkeljeve të Serbisë. Kryeziu ka thënë se këto shkelje kryeministri Kurti i ka prezantuar para ndërmjetësve evropianë në dialog, në takimin e 2 majit në Bruksel. Sipas tij janë 8 shkelje.
“Serbia vazhdon të mohojë krime të mirëdokumentuara të së kaluarës dhe vazhdon të përdorë gjuhë shpifëse ndaj dhjetëra mijëra personave të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe intervenimit humanitar të NATO-s (fjalimi i Vuçiçit në Sombor, 24.03.2023). Disa komentues serbë argumentojnë se Serbia është në një situatë të vitit 1939. Serbia kërcënon haptas se do të shkelë integritetin territorial të Kosovës, duke deklaruar se një pjesë e territorit të Kosovës, d.m.th. katër komunat në veri të Kosovës, janë “të okupuara” (Konferenca për media e Vuçiçit, 24.04.2023). Kjo është po ashtu një kërcënim ndaj paqes, meqë deklarimi i një pjese të territorit si “të okupuar” nënkupton edhe obligimin për ta “çliruar” atë”, thuhet në dokumentin e prezantuar nga kryeministri Kurti në takimin e 2 majit në Bruksel.
Më tej theksohet se Serbia kontrollon drejtpërsëdrejti partinë “Lista Serbe” në Kosovë dhe qëndron prapa vendimit për të bojkotuar zgjedhjet më 23 prill në katër komunat veriore. Sipas qeverisë, të shtyrë nga ambicie politike, bojkotimi sjell dëm ndaj demokracisë lokale dhe aranzhimeve për integrim të parapara në Marrëveshjen e Bruskelit të vitit 2013 mbi Parimet e Normalizimit të Marrëdhënieve.
“Kjo paraqet shkelje të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme dhe përbën veprim jomiqësor, duke shkelur e këtë Marrëveshje. Serbia vazhdon t’i referohet Kosovës si “Kosovo i Metohija” apo Prishtina. Kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimit që palët do të respektohen në marrëdhëniet e tyre interne, duke përfshirë njohjen e duhur të emërtimeve siç përkufizohen në Marrëveshjen Bazë. Sjelljet e Serbisë minojnë seriozisht marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta”, theksohet me tej.
Sipas Prishtinës, Serbia ende po drejton një varg të gjerë të funksioneve administrative dhe të bazuara në shërbime brenda territorit të Kosovës. Kjo pengon parimin e marrëdhënieve miqësore, meqë përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.
“Serbia ende nuk ka lejuar automjete me targa RKS që të hyjnë brenda kufijve të vet pa ngjitëse. Prandaj, ajo ende nuk i njeh targat RKS. Serbia ende nuk ka ndërprerë targa “KM”; kjo përbën kontradiktë absolute me parimin e njohjes reciproke të targave në juridiksionet përkatëse të të dy shteteve. Serbia ka ndaluar automjete të cilat ishin regjistruar më përpara me “KM” dhe që së fundmi kanë bërë tranzicion në targa “RKS”, që të hyjnë në territorin e saj, edhe me ngjitëse. Kjo paraqet shkelje të obligimit të njohjes reciproke të targave. Serbia ka refuzuar të lejojë qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë në dhe përmes territorit të Serbisë me pasaporta RKS, gjë që bie në kontradiktë me nenin 1”, vijohet në argumentet e qeverisë.
Në fillim të prillit, presidenti Vuçiç premton se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë deri në fund të mandatit të tij, një shkelje e qartë e këtij neni, si dhe të nenit 6, ku Serbia zotohet që të angazhohet në një proces drejt zgjidhjes përfundimtare.
Serbia shkeli dhe nenin 2 pretendon Prishtina, duke deklaruar se një nga të ashtuquajturat “vija të kuqe” është themelimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kontekstin e Kartës së OKB-së.
“Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Daçiçi, ka vazhduar të bëjë vizita në disa vende, me qëllim që t’i bindë për të “anuluar” — edhe pse pa bazë juridike — aktin e njohjes së Republikës së Kosovës. Kjo bie drejtpërsëdrejti në kontradiktë me obligimet e parapara në Kartën e OKB-së mbi njohje reciproke të barazisë sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë dhe integritetin territorial.
Vazhdimi i bojkotimit nga serbët e Kosovës ndaj policisë, gjykatat dhe institucione të tjera përbën shkelje edhe të marrëveshjeve të mëparshme, edhe të nenit 1 për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sepse kërkon që të ndryshojë kushtet e marrëveshjeve të mëparshme dhe të minojë sundimin e ligjit, rendin dhe procesin politik brenda palës tjetër”. Është e papranueshme që të përdorë tërheqje dhe barrikada si mjet për të kërkuar ri-interpretimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve”, thuhet më tej.
Lini një Përgjigje