Kosova16 Qershor 2023, 15:58

Pezullimi i licencës për 'Klan Kosova', KPM merr vendimin: Pronarët të plotësojnë dokumentacionin e saktë brenda 30 ditësh

Shkruar nga Pamfleti

Pezullimi i licencës për  'Klan Kosova', KPM merr vendimin:

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i ka dhënë afat prej 30 ditëve televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

KPM-ja tha se dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese, sipas ligjit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës më 14 qershor ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova SHPK.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.

ARBK-ja në bazë të akteve ligjore ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, deri në një vendim tjetër. KPM-ja në mbledhjen e mbajtur të premten, ka sqaruar se rregullorja e KPM-së për dhënën e licencës për shërbime mediale, kërkon që kompania private të jetë ligjërisht e regjistruar në Kosovë.

KPM-ja tha se është njoftuar nga ARBK-ja më 14 qershor 2023, se ka pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova.

Duke pasur parasysh se ofruesi i shërbimit medial, Klan Kosova, është licencuar nga KPM-ja mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit, e cila vë në dilemë ligjshmërinë e këtij biznesi, rekomandon që në afat prej 30 ditëve nga pranimi i këtij vendimi të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediave”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarura për Media.

Për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, ka pasur reagime nga organizatat e mediave vendëse dhe ndërkombëtare. Të premten, reagime kanë ardhur edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Prishtinë./REL

klan kosova kpm vendim