TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Janar 2025, 17:22

Politika, biznesi, akuzat dhe Trump: fushata në Kosovë ka “shpërthyer”, çfarë duhet të presim më 9 shkurt?!

Shkruar nga Pamfleti
Politika, biznesi, akuzat dhe Trump: fushata në Kosovë ka
Kurti në fushatë

Kurti ‘shpërthen’ në Prizren, Devolli dhe Haradinaj në Washington!

Kjo fushatë do të nxjerrë një fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Kurti shpreson për një fitore me mbi 50% dhe ka hedhur sloganin e 500K zemrave, ndërsa opozita shpreson që fitorja e VV të jetë nën 40%. Kombinimet nën këto kushte duken shpresëdhënëse për opozitën, e cila është rreshtuar nën një tabor, por garojnë ndarazi.

Janë formësuar dy vija vështirë të kalueshme. Dallimi nuk është retorik, është dallim interesash aq i thellë, i papajtueshëm sa gjithçka ka degjeneruar në sharje politike. Hiq akuzat për korrupsion, keqpërdorim fondesh, keq menaxhim, vija ndarëse është e qartë: shteti apo korporatat, drejtësi apo zhvillim, drejtësi apo ndershmëri?

Deri tani, korporatat (oligarkët) në Kosovë, së paku disa që i kanë shpallur luftë qeverisë ‘Kurti’, janë treguar më të fuqishme se shteti. Kanë fituar raste të mëdha në drejtësi, kanë bllokuar ligje. Madje, shteti u bë shërbyes i korporatave, duke mos ditur ku fillonte njëra dhe ku përfundonte tjetra.

Shteti ishte i brishtë, me kontroll ndërkombëtar dhe zyrtarë të varfër e të korruptuar, pa një traditë të jakave të bardha, që merrnin prej shteti dhe ua jepnin korporatave dhe individëve që brenda ditësh bëheshin të pasur, punësonin qindra vetë dhe lavdëroheshin se po kontribuojnë për vendin.

Qeveritë, të pafuqishme, kaluan gjithë paranë publike nëpër llogaritë private, duke forcuar jashtë mase disa korporata dhe individë të caktuar duke e bërë të vështirë dallimin se ku fillon shteti e ku përfundojnë korporatat.

Kompanitë publike u rrënuan, ndërsa korporatat dhe kompanitë private u fuqizuan shumë nga paraja publike. Koncepti amerikan dhe evropian i të bërit biznes u përballën vetëm gjatë qeverisë Kurti, ku e cila  insistoi në forcimin e shtetit dhe kompanive publike, një fond sovran, në antikorrupsion, politikë e shtetit social me çdo kusht.

Kështu filluan të rimëkëmben edhe spitalet dhe shkollat publike, të cilat ishin dorëzuar para arsimit dhe shëndetësisë private. Në fakt, menaxhmentet e sistemeve publike caktoheshin nga privatët dhe punonin për ta. Pajisjet nëpër spitale prisheshin dhe pacientët dërgoheshin në ato private nga mjek që punonin në të dy vijat. Arsimi privat mbizotëroi atë publik.

Kjo vetvetiu nuk i bën bizneset, korporatat, të këqij, pasi kudo në botë bizneset e kanë këtë synim: ta rrisin profilin dhe të kontrollojnë çdo gjë. Bizneset tona vareshin nga buxheti dhe kjo e krijoi simbiozën, të cilën qeveria ‘Kurti’ u përpoq dhe po përpiqet ta prishë, apo së paku ta vejë nën kontroll.

Pra, fushata parazgjedhore në Kosovë është në kulm. Askush nuk flet për vete, të gjithë shajnë njëri-tjetrin. Dy të vërteta politike po përballen njëra me tjetrën: idealistët dhe materialistët. Të parët flasin për parime dhe ndershmëri, të dytët për biznes dhe drejtësi. Qeveria si biznesmen dhe biznesmenët si qeveri në hije, të cilët nxjerrin në skenën politike njerëz që grumbullojnë vota dhe marrin vendime në favor dhe për favore të tyre.

Kryeministri Kurti denoncoi korporatën Devolli në kulmin e fushatës në Prizren, ndërsa Devolli bën fushatën në Ëashington, ku është i ftuar në ceremoninë e përurimit të Presidentit Trump, duke takuar kongresmenë dhe zyrtarë të lartë të ardhshëm të administratës Trump. Madje takoi edhe kreun e ardhshëm të agjencisë së inteligjencës, CIA. Ata e akuzojnë Kurtin se pengon bizneset dhe po fut duar te drejtësia.

Bashkë me Devollin dhe të tjerë, janë ftuar edhe zyrtarë të tjerë të opozitës, por jo edhe kryeministri Kurti dhe njerëzit e tij.

Në anën tjetër, Kurti insiston se bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, ndërsa këta oligarkët (korporatat) pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy grupet janë kundër Kosovës, thotë ai. Ai i bëri thirrje  korporatës Devolli që t’i kthejë menjëherë 62 milionë eurot te Telekomi i Kosovës, duke saktësuar se "Z. Mobile" sot zyrtarisht ka vetëm një të punësuar, se tashmë e kanë kryer plaçkitjen, ndërsa sipas tij krerët e prokurorisë kanë vdekur për së gjalli. Kurti vë në dyshim ndershmërinë e drejtësisë, pasi sipas tij, drejtësia pa ndershmëri nuk është gjë. "Na duhet një kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm", thërret Kurti nga Prizreni.

Kundër Kosovës akuzohet se është edhe qeveria Kurti, pasi sipas opozitës po vendos regjim autoritar dhe po na ngatërron me ndërkombëtarët, duke e futur vendin nën kufizime të mëdha.

Haradinaj nga Washingtoni, menjëherë pas inaugurimit të Presidentit Trump, dha mesazhin elektoral se kjo qeveri duhet rrëzuar, se nuk ka rezultate dhe se i ka prishur marrëdhëniet me perëndimin, duke e izoluar Kosovën.

Në gjithë këtë situatë, vetëm slogani i Partisë Demokratike mbetet fleksibël: "Kosova mundet për më mirë", thonë ata. Këtë nuk e mohon asnjëra palë. Nëse Kurti nuk merr 50% të mandateve, duhet të bëjë koalicion. Mes thirrjeve për rrëzim të Qeverisë që vijnë nga LDK dhe koalicioni Haradinaj/Limaj, të koordinuar pa u fshehur nga korporatat, sidomos “armikja” e Kurtit, Devolli, me shumë gjasë e lë qeverinë e ardhshme në duart e teknokratëve të PDK. Pikëpyetja më e madhe është, mundet të jetë Kosova më mirë pa një qeveri që balancon interesat? Fatkeqësisht në këtë fazë bizneset që janë motor i shoqërisë. Ende nuk janë forcuar mjaftueshëm që të kenë nevojë për ligj e drejtësi.

Historia e ka dëshmuar se pa zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pa biznese të fuqishme, nuk krijohet shtresa e mesme e fuqishme që e bënë balancën. Vendosja e drejtësisë në kushte të varfërisë dhe një shtrese të mesme të “hollë”  është vështirë të bëhet pa një arbitratizëm i cili pastaj lexohet si jodemokratik.

Por fushata nuk është mbyllur ende, sapo ka arritur kulmin dhe lojtarët kanë hapur letrat! /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje