
Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç është shprehur se rritja e prezencës së KFOR në veri të Kosovës mund të përshkallëzojë situatën e konfliktit.
Vuçeviç e cilësoi këtë veprim si të njëanshëm dhe provokues nga ana e Kosovës, shkruan Kurir.rs.
Ai theksoi se Beogradi beson në bisedë politike, dialog dhe zgjidhje politike, prandaj dje kanë pasur takime me ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.
Një numër i madh qytetarësh serbë janë mbledhur prej mëngjesit të kësaj të mërkure për të protestuar në katër komunat në veri të Kosovës, kundër kryetarëve të rinj shqiptar.
Të pranishëm në protestën e sotme janë edhe krerët e Listës Serbe Igor Simiç dhe Goran Rakiç. Krahasuar me një ditë më parë, numri i pjesëmarrësve serbë sot është më i lartë.
Ndërsa KFOR dhe policia e Kosovës kanë shtuar masat, duke krijuar një perimetër sigurie rreth selive të komunave veriore përmes një gardhi me tela me gjemba. Ngjarja është në zhvillim.