
Protesta në veri të Kosovës ka nisur. Një numër i madh i serbëve janë mbledhur para selisë komunale në Zveçan dhe Leposaviç që nga ora 7:00 e mëngjesit.
KFOR-i ka përforcuar masat mbrojtëse përreth objektit të komunës, duke vendosur dy rende telash me gjemba. Situata për momentin është e qetë.

Së bashku me serbët e mbledhur, protestës këtë mëngjes i janë bashkuar edhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiç dhe Igor Simiç.

Për këtë situatë ka reaguar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili kërkon që palët të ulin menjëherë tensionet. Albin Kurtit i thotë t’i sigurojë kryetarëve të rinj vende të tjera jashtë komunave për të kryer detyrën dhe të tërheqë policët nga godinave ndërsa presidentit serb Aleksandër Vucic i thotë se duhet t’i bëjë thirrje serbëve që të përmbahen nga dhuna.
“Kosova dhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE”, shkroi Blinken ndër të tjera.
Ditën e djeshme, protestuesit serb në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok nuk u përplasën me ushtarët e KFOR apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, por u raportua për sulme ndaj gazetarëve shqiptarë që ndodheshin atje të raportonin situatën.
Lini një Përgjigje