Kosova15 Prill 2024, 10:07

Pse Serbia kërcënon me luftë nëse OKB-ja miraton rezolutën mbi masakrën e Srebrenicës!

Shkruar nga Hikmet Karcic
Pse Serbia kërcënon me luftë nëse OKB-ja miraton
Masakra e Srebrenicës

Përpjekjet e kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të miratuar një rezolutë që përkujton viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, janë pritur me kundërshtime të ashpra nga zyrtarët serbë.

Kjo sjellje përbën jo vetëm një shfaqje të ashpër të mohimit të gjenocidit dhe të revizionizmit historik.

Por është gjithashtu edhe një strategji e mirë-llogaritur gjeopolitike, e cila synon ruajtjen e hegjemonisë rajonale dhe destabilizimin e përpjekjeve për pajtim brenda rajonit të Ballkanit. Kjo strategji është veçanërisht alarmante nën dritën e ngjarjeve të fundit, si sulmi terrorist në Kosovë i kryer nga kriminelët serbë (me lidhje të supozuara me shtetin serb), që shërbeu për të nënvizuar edhe njëherë gjendjen e brishtë të paqes dhe sigurisë në rajon.

Nemanja Stevanović, ambasadori serb në OKB , lëshoi një kërcënim të nënkuptuar, duke deklaruar se miratimi i një rezolute të tillë mund të nxisë dhunë jo vetëm brenda Bosnje Hercegovinës, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo insinuatë vepron në nivele të shumëfishta.

Së pari, ajo shërben si një paralajmërim i drejtpërdrejtë për komunitetin ndërkombëtar. Së dyti, e pozicionon Serbinë si një ruajtëse të stabilitetit rajonal dhe në një shkallë më të gjerë, dhe së treti vepron njëkohësisht si një mjet retorik për të sfiduar legjitimitetin dhe nevojën e njohjes së mizorive historike përmes rezolutave ndërkombëtare.

Letra e ambasadorit serb, e mbështetur nga një mesazh i Željka Cvijanović , anëtares serbe

në presidencën trepalëshe të Bosnje Hercegovinës, i bën jehonë kësaj ndjenje. Cvijanović pretendon se Serbia, si një “garantuese e supozuar e Marrëveshjes së Dejtonit”, është e ngarkuar me parandalimin e çdo veprimi që mund të prishë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Por pretendime të tilla janë plot pasaktësi dhe pasqyrojnë një axhendë më të gjerë të përdorimit të mekanizmave të ndërtimit të paqes pas konfliktit, për të penguar përpjekjet ndërkombëtare që synojnë të përkujtojnë gjenocidin e Srebrenicës.

Një qëndrim i tillë, është i ndërthurur fort edhe me tendencat më të gjera të revizionizmit dhe mohimit historik që synojnë, të cilat minojnë proceset e pajtimit, thelbësore për paqen dhe unitetin e rajonit. Referenca ndaj nismës që mbështetet nga “vetëm një palë etnike” në Bosnje dhe Hercegovinë, nënvizon më tej synimin për të polarizuar dhe delegjitimuar rezolutën, duke e inkuadruar atë si të njëanshme në aspektin etnik.

Kjo strategji narrative, jo vetëm që i keqinterpreton realitetet kushtetuese dhe politike brenda Bosnjë Hercegovinës, por ka sy synim të mbjellë përçarje dhe të pengojë përpjekjet e këtij vendi drejt një qëndrimi të unifikuar mbi të vërtetat historike dhe pajtimin.

Lidhja e kërcënimeve me sigurinë në Bosnje e rajon me miratimin e rezolutës në OKB, duhet të merret shumë seriozisht në dritën e sulmit të fundit terrorist në Kosovë. Ajo ngjarje ka rritur shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë Serbisë - dhe potencialisht aleates së saj Rusisë - pretekstin për të polarizuar dhe destabilizuar më tej rajonin nën maskën e parandalimit të incidenteve të ngjashme.

Vetoja ruse e vitit 2015 ndaj një rezolute të OKB-së mbi Srebrenicën në mbështetje të Serbisë, tregon më së miri se si politika ndërkombëtare mund të ndikojë ndjeshëm në njohjen e të vërtetave historike dhe në vendosjen e drejtësisë.

Ajo veto ritheksoi dimensionet gjeopolitike të njohjes së gjenocidit, por tregoi gjithashtu edhe se si shtetet mund të përdorin ndikimin e tyre ndërkombëtar për të mbështetur narrativat e mohimit dhe revizionizmit. Udhëheqja në Serbi, duket se po e përdor Rezolutën e Srebrenicës si një devijim strategjik, duke e fokusuar diskursin publik mbi këtë çështje për të tërhequr vëmendjen nga shqetësimet e ngutshme të brendshme.

Duke e zmadhuar qëllimisht rëndësinë e rezolutës së OKB-së, e cila është në thelb deklarative dhe jo detyruese, serbët po synojnë të nxisin ndjenjat nacionaliste dhe të grumbullojnë mbështetje. Kjo taktikë e elektrizon bazën e tyre, dhe errëson natyrën dhe qëllimin e vërtetë të rezolutës.

Duke vepruar në këtë mënyrë, serbët e ridrejtojnë vëmendjen publike dhe ndërkombëtare larg sfidave jetike sociale, ekonomike dhe politike të vendit, duke e përdorur rezolutën si një element qendror mosmarrëveshjeje por edhe uniteti kombëtar. Prandaj, përgjigja serbe ndaj rezolutës së propozuar të OKB-së, duhet të kuptohet jo thjesht si një akt i izoluar i opozitës atje, por si pjesë e një strategjie më të gjerë që e përdor revizionizmin historik dhe politikën e mohimit për të ruajtur ndikimin, kontrollin e narrativave dhe potencialisht destabilizimin e rajonit.

Kjo qasje, tregon gatishmërinë e Serbisë për të kërcënuar në çdo rast me dhunë, gjë që nga ana tjetër, rrezikon jo vetëm procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes në Ballkan, por edhe vetë mundësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për të njohur dhe mësuar nga mizoritë e kaluara.

Për t’u përballur me këto sfida, komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë nën një ekuilibër delikat, midis nderimit të viktimave të mizorive si gjenocidi i Srebrenicës, dhe adresimit të realiteteve komplekse politike që formësojnë përgjigjet ndaj këtyre të fundit.

Detyra bazë mbetet e qartë:të sigurohet që të vërtetat e historisë të ruhen dhe të nderohen, jo si një mjet për të thelluar ndarjet, por si një bazë për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më paqësore dhe më të unifikuar për Ballkanin Perëndimor./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "National Interest"