TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Qershor 2026, 22:15

Rishikimi i pranisë së KFOR’-it, Kroacia ‘‘ofron’’ rritjen e numrit të ushtarëve të saj në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Rishikimi i pranisë së KFOR’-it, Kroacia

Kroacia është e gatshme të rrisë numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në një kohë kur Aleanca po shqyrton reduktimin e pranisë së përgjithshme ushtarake në vend.

Këtë e ka lënë të kuptohet ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, gjatë një deklarate për gazetarët në Bruksel, raportoi media kroate Vecernji List.

Sipas raportimit, burime diplomatike të huaja kanë bërë të ditur jozyrtarisht se disa aleatë evropianë kanë nisur diskutimet mbi mënyrat se si mund të kontribuojnë për të kompensuar një tërheqje të pjesshme të forcave amerikane nga Evropa.

Zhvillimi vjen pasi Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, zbuloi javën e kaluar se janë duke u hartuar plane për zvogëlimin e misionit të KFOR-it në Kosovë.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi të mërkurën se numri i trupave të KFOR-it pritet të ulet nga rreth 4,700 ushtarë aktualisht në nivelin që ekzistonte para vitit 2023, respektivisht në rreth 3,000 deri në 3,500 pjesëtarë.

Megjithatë, pavarësisht këtij reduktimi të planifikuar, Kroacia ka sinjalizuar se është e gatshme të shtojë kontributin e saj në misionin e NATO-s në Kosovë.

Çështja e rritjes së rolit të aleatëve evropianë në sigurinë e kontinentit u diskutua edhe gjatë takimeve të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha homologëve të tij se prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Evropë do të vazhdojë të zvogëlohet dhe se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Ai paralajmëroi se Uashingtoni do të vlerësojë nga afër angazhimin e secilit aleat.

SHBA-ja do të vëzhgojë nga afër aleatët tanë dhe do të monitorojë se kush nuk po e bën pjesën e vet dhe kush po thotë ‘jo’, ‘ndoshta’ ose ‘le të presim e të shohim’”, deklaroi Hegseth.

Sipas tij, disa vende aleate do të dështojnë në këtë test të ri të angazhimit, ndërsa të tjera do të tregojnë gatishmëri më të madhe për të marrë përgjegjësi në kuadër të NATO-s.

Hegseth përmendi gjithashtu se disa aleatë evropianë nuk mbështetën Shtetet e Bashkuara gjatë konfliktit të fundit me Iranin, ndërsa të tjerë, sipas tij, iu përgjigjën pozitivisht kërkesave amerikane.

Në këtë kontekst, gatishmëria e Kroacisë për të rritur praninë në KFOR shihet si pjesë e përpjekjeve të aleatëve evropianë për të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë në rajon dhe në kuadër të strukturave të NATO-s.

kosov kroacia kfor

Lini një Përgjigje