TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Qershor 2026, 14:23

Shefi i NATO-s: Siguria në Kosovë është përmirësuar, KFOR do të reduktohet në 3500 trupa

Shkruar nga Pamfleti
Shefi i NATO-s: Siguria në Kosovë është
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se misioni do të rikthehet në nivelet para vitit 2023, ndërsa Aleanca thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi këtë të mërkurë në Bruksel se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, duke bërë të mundur optimizimin e pranisë së misionit paqeruajtës të Aleancës, KFOR.

Gjatë një konference për media, Rutte bëri të ditur se NATO planifikon të reduktojë numrin e trupave të KFOR-it, duke e rikthyer atë në nivelet që kishte përpara vitit 2023.

“...Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, tha Rutte në një paraqitje para gazetarëve.

Deklarata e kreut të NATO-s vjen pak ditë pasi Aleanca njoftoi se situata e sigurisë në Kosovë ka vijuar të përmirësohet, duke krijuar kushtet për një riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare.

Në një njoftim zyrtar, NATO bëri të ditur se në janar të këtij viti ka ndërprerë dislokimin e forcave rezervë të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.

“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, ishte shprehur gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në terren kanë krijuar mundësi për optimizimin e mëtejshëm të madhësisë dhe pranisë së misionit të NATO-s në Kosovë.

Gjenerali Grynkewich ritheksoi gjithashtu përkushtimin e Aleancës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si strategjik për NATO-n dhe sigurinë euro-atlantike.

Ai nënvizoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajon, pavarësisht reduktimit të pranisë ushtarake.

Optimizimi i KFOR-it po zbatohet në vitin kur misioni shënon 27-vjetorin e tij. Sipas NATO-s, ky proces është rezultat i një rishikimi të detajuar dhe i një vlerësimi të situatës së sigurisë, të mbështetur në të dhëna të inteligjencës dhe në autorizimet ekzistuese të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR).

Megjithëse numri i trupave do të reduktohet, NATO ka bërë të qartë se misioni i KFOR-it do të vazhdojë të mbetet i përqendruar në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

siguaria ne kosove shefi i natos kfor

Lini një Përgjigje