
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka komentuar për vilën e Milan Radoiçiçit buzë liqenit të Ujmanit në veri, e cila është bastisur të premten nga autoritetet e Kosovës.
Në konferencën për media që mbajti sot, Sveçla theksoi se vila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës, dhe se “bypass” i tunelit në afërsi është i uzurpuar nga ky kompleks i Radoiçiçit.
Ai ka treguar se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që kjo pronë t’i kalohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe kjo pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës.
“Kompleski superluksoz i Milan Radoiçiçit në buzë të liqenit të Ujmanit është i ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Po ashtu “bypas” i tunelit në afërsi është i uzurpuar nga Milan Radoiçiç. Jam në bisedime me ministrin e Bujqësisë që kjo pronë t’I kaloi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pastaj kjo të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës për njësitin e barkave në departamentin e kufirit”, theksoi ai.