
Shtëpia e Bardhë ka reaguar zyrtarisht për tensionet që po ndodhin në veriun e Kosovës. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në ShBA, John Kirby, ka kërkuar nga Serbia që të ulë nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë.
Në një konferencë shtypi, Kirby i kërkoi Vuçiçit që të bindë serbët të heqin dorë nga dhuna dhe të mos sfidojnë forcat e KFOR.
“Edhe Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së forcave të armatosura të Serbisë dhe t’i urdhërojnë serbët e Kosovës të mos e sfidojnë KFOR-in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejme”, theksoi Kirby.
Gjatë paradites ishte Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ai i cili dënoi sulmet e huliganëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it. Në një reagim në Tëitter, Blinken ka bërë thirrje që Kosova e Serbia t’i përkushtohen dialogut.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmet e djeshme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, dhe u kërkon palëve të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar gjendjen dhe t’i ripërkushtohen bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja për normalizim”, ka shkruar ai në Twitter.
Numri dy i SHBA-së ka bërë thirrje gjithashtu që Qeveria e Serbisë dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciç të ulin statusin e gatishmërisë ushtarake.
Lini një Përgjigje