Vërshimet e ujit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në qytetin e Pejës një natë më parë, i morën jetën nënës dhe djalit të saj, vetëm 5 vjeç.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë, teksa shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave.
Osmani shprehet se në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, shkruan Osmani.
Lidhur me këtë ngjarje, fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur. Por tragjedia u thellua, kur policia njoftoi se edhe gruaja u gjet pa shenja jete.
Lini një Përgjigje