
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mban këtë të mërkurë një fjalim në Parlamentin Europian në Strasburg. Ky fjalim në PE është i pari që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008.
E këtë fjalim historik, Osmani e nisi me fjalët e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, tha Osmani derisa shtoi se ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.
“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ajo.
Presidentja u shpreh se Kosova është vendi më pro-europian në rajon.
“Kosova është e pavarur dhe e lirë. Kosova është Europë, vlerat e BE-së janë pjesë themelore e shoqërisë sonë. Ecim krah për krah me vlerat europiane, do qëndrojmë përkrah Europës”, tha ndër të tjera Osmani.
Më tej ajo ka kërkuar që vendet e BE-së që qëndrojnë pranë Kosovës.
“Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për t’ju bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”, u shpreh ajo.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë. Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.
Si pasojë, mediat raportojnë se kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Gjatë vizitës së saj në Strasburg, Osmani ka zhvilluar takime edhe në Këshillin e Evropës. Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e kësaj organizate para një viti. Muajin e shkuar nisi procedura formale për pranimin e Kosovës në këtë institucion.
Lini një Përgjigje