
Njëri nga vëllezërit Viçentijeviç, që akuzohet për sulmin me rreth 20 kilogramë eksplozivë të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit, i ka thënë Prokurorisë Speciale se ishte në bazën ushtarake në Serbi, ku u trajnua grupi i Radoiçiçit një ditë para se të ndodhte sulmi në Banjskë.
Jovan Viçentijeviç është i akuzuar edhe për spiunazh, ndërsa njëra nga provat që Prokuroria i ka siguruar është kartela e inteligjencës ushtarake Jovan Viçentijeviç, mbi të cilin rëndojnë akuzat për kryerje të veprës terroriste në kanalin e Ibër-Lepencit, u ka thënë institucioneve të Kosovës se ka marrë pjesë në trajnim 9-ditor ushtarak në vendin ku bëri stërvitje grupi që kreu sulmin terrorist në Banjskë.
Viçentijeviç ka pohuar se 120 veta kanë marrë pjesë në trajnim në njërën nga poligonet më të njohura stërvitore ushtarake në Serbi.
“I pandehuri gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë me dt. 2.12.2025 dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në qendrën e paraburgimit me dt. 3.12.2025, në bisedë me zyrtarët policorë kishte dhënë informacione në lidhje me veprimtarinë e tij të kundërligjshme e po ashtu edhe për persona tjerë të involvuar në veprime të ngjashme, duke pohuar se ka marrë pjesë në ushtrimet në kampin e ushtrisë serbe të quajtur “Pasuljanske Livade” në Serbi. Atje ka qëndruar dhe është trajnuar prej datës 14.9.2023 deri më datën 23.9.2023”. Sipas tij, aty kanë qenë duke u trajnuar rreth njëqind e njëzet (120) persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb”, thuhet në një pjesë të aktakuzës.
Jovan Viçentijeviç, i cili edhe të vëllain Dragishën e ka të akuzuar për sulm terrorist, i ka thënë Prokurorisë se një ditë para sulmit në Banjskë shkuan në mënyrë të organizuar në komuna që janë më afër Kosovës.
“Sipas të pandehurit Jovan Viçentijeviç, në kampin “Pasuljanske Livade” në Serbi, trajner ka qenë një epror i ushtrisë Serbe me emrin Aleksandër Kosanin nga Kragujevci i Serbisë, si dhe një person tjetër gjithashtu oficer i ushtrisë se Serbisë me pseudonimin “Stole” (nuk ia di emrin)… Jovan Viçentijeviç ka theksuar se pas përfundimit të trajnimit më datë 23.9.2022 me një autobus nga baza “Pasuljaske Livade” në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar për në Rashkë, pastaj për në Novi- Pazar, aty kanë pushuar një kohë dhe janë ushqyer”, thuhet më tej në aktakuzë.
Ai i ka thënë Prokurorisë se ishte në dijeni për një plan për sulm në Kosovë në tetor të 2024-tës, por se atë e shtyu udhëheqësi në terren i sulmit terrorist në Banjskë.
“I pandehuri Jovan Viçentijeviç ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtimi ndërkombëtar Milan Radoiçiç me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që, sipas informatave që ka i pandehuri Viçentijeviç, Milan Radoiçiç ka financuar fushatën e z. Trump te Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”, shkruan në aktakuzë.
Në bazë të ekspertizës së FBI-së, në çizmet e tyre është gjetur dheu që për sa u përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes ishte i njëjtë me atë në kanalin e Ibër Lepencit. Organi i akuzës pretendon se në fitilin që u sekuestrua në vendin e ngjarjes u gjetën edhe gjenet që përputhen me ADN-në e të akuzuarve.
Lini një Përgjigje