
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me një krizë të re institucionale, duke akuzuar shumicën parlamentare për mënyrën se si po menaxhon procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Në një reagim publik, PDK thekson se situata aktuale është rezultat i papërgjegjshmërisë së shumicës dhe, sipas saj, mungesës së vullnetit të kryeministrit Albin Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes forcave politike.
“Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandateve që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, shumica parlamentare ka zgjedhur të propozojë një kandidat tërësisht partiak për postin e presidentit, pa koordinim me subjektet e tjera politike dhe pa mundësi për arritjen e një konsensusi.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional”, thuhet më tej në deklaratë.
PDK shton se, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh opozitar ka propozuar që presidenti të zgjidhet nga radhët e kësaj partie, duke e konsideruar këtë si një mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një force të vetme politike.
Në fund të reagimit, PDK thekson se përgjegjësia për situatën e krijuar i takon shumicës parlamentare.
“Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan. Përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për ta qeverisur vendin. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak”, përfundon reagimi i PDK-së.
Po ti or pordhitikan cfare propozove kur u takuat me Kurtin. Xhungel dhelprash e te pa burrni. Sa mire per Vucicin,po i kenaqni serbet.