TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle20 Janar 2026, 12:09

12 surpriza të pakëndshme me të cilat përballemi në Tiranë

Shkruar nga Jani Mali

Tirana është një qytet kontrastesh, ku rraskapitja fizike përshkohet me një lloj kënaqësie të çuditshme dhe ku kaosi dhe qetësia bashkëjetojnë në mënyrë paradoksale. Në çdo rrugë, lagje dhe lulishte, qyteti tregon fytyrën e tij të shumëfishtë: nga trafik i ngadaltë e i ngjeshur, tek kafetë me zë të lartë ku korrupsioni bëhet temë bisedash, e deri tek pallatet e lyera me lajle-lule që përpiqen të mbulojnë mungesën e harmonisë arkitektonike. Megjithatë, Tirana mbetet e gjallë, frymon me gulçe dhe reflekton një pasiguri të përbashkët që e bën qytetin të ndjerë dhe të vërtetë.

12 surpriza të pakëndshme me të cilat përballemi në
Tirana


1. Tirana është rraskapitëse për t’u përshkuar me këmbë, por e pakalueshme me makinë.
2.Qyteti ka shumë korsi biçikletash, ku zakonisht kalojnë kalimtarët, ndërsa biçiklistët dhe përdoruesit e skuterave i provojnë aftësitë e tyre penetruese midis makinave.
3.Edhe pse ka një rrugë që njihet si ‘Rruga e Trenit’, mos u tregoni të pasjellshëm duke kërkuar doemos trenin. Të paktën jini të lumtur derisa nuk ju kërkon njeri biletën e trenit.
4.Nëpër linjat e autobusëve urbanë, edhe prova e ngjeshjes, edhe shpejtësia e vogël e lëvizjes për të shijuar qytetin, nuk janë gjë para kënaqësisë që do të merrni kur të mësoni se si përdoren ende bileta të kohës së socializmit.
5.Mos u habisni nëse vëreni se qentë janë më të kujdesshëm nga njerëzit kur kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Kjo ndodh se njerëzit, veç mendjes, kanë humbur edhe instinktin.
6.Mos u mundoni të shihni Malin e Dajtit nga kulla e Sahatit të Tiranës, por kënaquni kur Kullën e Sahatit ta shihni vetëm pasi të jeni ngjitur në Malin e Dajtit.
7.Nëpër rrugët e qytetit shiten zarzavate të ardhura nga Ndroqi, ndërsa në Ndroq zarzavatet shkojnë nga Tirana.
8.Edhe pse Tirana komandohet nga autoriteti i padukshëm i kaosit, është përgjithësisht një qytet i qetë. Tollovia e tallavasë nëpër bare dhe gurgulea e grumbujve me burra namusqarë që luajnë domino nëpër lulishte janë përjashtime që vetëm e shtojnë adrenalinën.
9.Nëpër bare zakonisht flitet me zë të lartë dhe kryefjala e çdo tavoline është korrupsioni, shenjë kjo e një ndjeshmërie dhe e një sinqeriteti të përkorë, ku edhe ai që vidhet edhe ai që vjedh e bëjnë njëlloj fërtele hajdutërinë.
10.Falë arkitektëve të shumtë qyteti nuk ka fare arkitekturë. Grumbujt e pallateve të lënë përshtypjen se qyteti nuk ndërtohet nga ndërtues, por nga ca urithë të çuditshëm që nuk gërryejnë tokën për flori, por e gjejnë arin e tyre duke gërvishtur qiellin.
11.Të gjitha pallatet e vjetra i kanë fasadat të lyera me lajle-lule si për të vërtetuar se ideatori i kësaj vepre arti ishte një piktor. Mbase po të qe skulptor do merrej edhe me anët e tjera të pallateve.
12.Ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, që po japin shpirt nga shpopullimi, Tirana merr frymë me gulçe. Njerëzit lëvizin në një pështjellim të lagësht pasigurie dhe në përballjen me ta nuk do e keni të vështirë të vëreni se dëshpërimi gati është ndryshkur në fytyrat e tyre./ Observer Kult

12 surpriza të pakëndshme tiranë

1 Komente

  1. M
    Mirela

    Ke harruar dhe kazanet e plehrave qe te cudisin me bukurin dhe eren e tyre dhe qe zbukurojne cdo rruge kryesore ,gje qe nuk ndodh as ne qytetin me te humbur te botes .

    Lini një Përgjigje