TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle25 Korrik 2025, 21:59

Asteroidi që ishte nisur drejt Tokës nuk përbën më rrezik, por mund të godasë Hënën

Shkruar nga Pamfleti

Asteroidi që ishte nisur drejt Tokës nuk përbën më

Asteroidi i njohur si 2024 YR4, një trup shkëmbor me madhësinë e një ndërtese, i cili fillimisht u duk se ishte në një trajektore përplasjeje me Tokën, tashmë ka dalë nga fusha e vrojtimit të teleskopëve, ndërsa vijon orbitën e tij rreth Diellit. Megjithatë, edhe pse është jashtë shikimit, ai mbetet në vëmendjen e shkencëtarëve.

I zbuluar në fund të vitit 2024, ky asteroid u duk fillimisht sikur mund të godiste Tokën më 22 dhjetor 2032. Shanset për një përplasje të tillë ndryshuan me çdo vrojtim të ri, duke arritur kulmin në 3.1% në shkurt, probabilitet që e bëri atë asteroidi më i rrezikshëm i regjistruar ndonjëherë.

Vrojtimet nga teleskopët tokësorë dhe hapësinorë ndihmuan astronomët të përcaktojnë më saktë madhësinë dhe orbitën e tij. Falë matjeve të përmirësuara, studiuesit arritën përfundimisht të përjashtojnë çdo përplasje me Tokën.

Sipas NASA-s, vrojtimet më të fundit të kryera në fillim të qershorit, pak para se 2024 YR4 të zhdukej nga shikimi, kanë rritur me gati 20% saktësinë e parashikimeve për pozicionin e tij në vitin 2032.

Por këto të dhëna tregojnë se, edhe pse Toka shmang përplasjen direkte, ekziston mundësia që asteroidi të godasë Hënën në fund të vitit 2032. Një ngjarje e tillë do të ishte e rrallë dhe spektakolare për njerëzimin, por një goditje e tillë mund të shpërndante materiale të imëta hënore që potencialisht mund të arrinin deri në Tokë.

Edhe pse planeti ynë nuk do të ishte në rrezik serioz nga një përplasje e tillë, çdo astronaut apo infrastrukturë në sipërfaqen e Hënës në atë kohë mund të rrezikohej, ashtu si edhe disa satelitë të rëndësishëm që qarkullojnë rreth Tokës dhe që mbështesin navigimin, komunikimin dhe shërbime të tjera jetike.

Lini një Përgjigje