Një gjykatë në Suedi ka dënuar me 4 vjet e 5 muaj burg një 61-vjeçar, i cili u shpall fajtor për shfrytëzimin dhe detyrimin e bashkëshortes së tij për të kryer marrëdhënie seksuale me më shumë se 120 burra.
Vendimi u dha pas një procesi gjyqësor të zhvilluar në Härnösand, në lindje të Suedisë. Sipas gjykatës, i pandehuri kishte ushtruar dhunë dhe kërcënime ndaj gruas së tij, duke e detyruar të ofronte shërbime seksuale kundër vullnetit të saj.
61-vjeçari u dënua për disa vepra penale, mes tyre prostitucion i rënduar, tentativë përdhunimi, sulm fizik dhe kërcënime të paligjshme. Ai i mohoi vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se kishte ndihmuar vetëm në organizimin e takimeve me pëlqimin e të dyja palëve, por gjykata pranoi argumentet e prokurorisë dhe arriti në përfundimin se gruaja ishte shfrytëzuar sistematikisht.
Rasti ka tronditur opinionin publik në Suedi dhe ka tërhequr vëmendje edhe jashtë vendit. Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar atë me çështjen e bujshme në Francë, ku një burrë u akuzua se kishte droguar bashkëshorten e tij dhe kishte lejuar burra të tjerë të abuzonin seksualisht me të për vite me radhë.
Përveç 61-vjeçarit, gjykata dënoi edhe 28 burra të tjerë të përfshirë në këtë skemë. Autoritetet suedeze identifikuan rreth 120 persona që kishin pasur kontakte me gruan, por vetëm 29 prej tyre u ndoqën penalisht në lidhje me çështjen.
Shumica e të akuzuarve kanë mohuar përfshirjen, duke deklaruar se nuk kishin kryer marrëdhënie seksuale me gruan ose se nuk kishin paguar për këto takime.
Përveç dënimit me burg, gjykata urdhëroi 61-vjeçarin t’i paguajë bashkëshortes së tij dëmshpërblim prej rreth 15,900 paundësh.
Identiteti i çiftit nuk është bërë publik, në përputhje me legjislacionin suedez për mbrojtjen e viktimave në raste të tilla.
Lini një Përgjigje