
Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, është dënuar me 15 vite burg për shpërndarje droge që çoi në vdekjen e aktorit Matthew Perry.
42-vjeçarja pranoi fajësinë për pesë akuza, mes tyre edhe shpërndarje të ketaminës me pasoja fatale. Sipas prokurorëve, ajo drejtonte një rrjet të mirë organizuar nga shtëpia e saj, duke siguruar të ardhura të mëdha dhe një stil jetese luksoz.
Perry, i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin Friends, u gjet i pajetë në tetor 2023 në banesën e tij në Los Angeles. Hetimet konfirmuan se shkaku ishte përdorimi i ketaminës, një substancë që përdoret në mjekësi vetëm nën kontroll të rreptë.
Gjatë gjyqit, njerka e aktorit kërkoi dënimin maksimal për Sangha-n, duke e akuzuar se kishte shfrytëzuar dobësinë e tij ndaj varësisë.
Autoritetet zbuluan në banesën e saj sasi të mëdha droge, përfshirë ketaminë, metamfetaminë, kokainë dhe Xanax. Ajo kishte furnizuar klientë që prej vitit 2019, ndërsa pranoi edhe një rast tjetër shitjeje që përfundoi me vdekje nga mbidoza.
Sangha ishte pjesë e një rrjeti prej pesë personash që dyshohet se i siguronin drogë Perry-t. Në këtë çështje janë përfshirë edhe mjekë dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët kanë marrë dënime të ndryshme.
Salvador Plasencia u dënua me 30 muaj burg, ndërsa Mark Chavez mori arrest shtëpie dhe mbikëqyrje. Ndërkohë, asistenti i aktorit, Kenneth Iwamasa, dhe Eric Fleming pritet të dënohen në vijim.
Rasti ka rikthyer në vëmendje rreziqet e abuzimit me substanca dhe mënyrën si varësia mund të shfrytëzohet nga rrjete të paligjshme, edhe në rastin e personazheve të njohur publikë.
Lini një Përgjigje