TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle14 Korrik 2026, 15:48

Revolucion apo rrezik? Trajtimi estetik me yndyrë nga të vdekurit hap një debat të madh

Shkruar nga Pamfleti
Revolucion apo rrezik? Trajtimi estetik me yndyrë nga të vdekurit hap
Revolucion apo rrezik? Trajtimi estetik me yndyrë nga të vdekurit hap një debat të madh

Një trajtim i ri në fushën e estetikës po tërheq vëmendjen në SHBA, por edhe po shkakton polemika. Bëhet fjalë për alloClae, një produkt që përdor ind dhjamor njerëzor të përpunuar për të rikthyer volumin në zona të ndryshme të trupit.

Ndryshe nga ndërhyrjet klasike ku përdoret yndyra e vetë pacientit, kjo metodë mbështetet te indi i marrë nga donatorë, i cili përpunohet në laborator përpara se të përdoret. Sipas kompanisë që e prodhon, materiali kalon një proces të veçantë për të eliminuar elementët qelizorë të donatorit dhe për ta bërë të përshtatshëm për përdorim estetik.

Produkti u bë i disponueshëm në tregun amerikan në vitin 2024 dhe fillimisht u aplikua vetëm nga kirurgë plastikë. Më vonë përdorimi u shtri edhe te profesionistë të tjerë të trajnuar. Kompania deklaron se mijëra persona kanë kryer trajtime me këtë teknologji.

Pse po rritet interesi për këtë procedurë?

Një faktor që ka ndikuar në kërkesën për trajtime të tilla është rritja e përdorimit të medikamenteve për humbje peshe. Pas rënies së shpejtë në kilogramë, disa persona kërkojnë të rikthejnë volumin në fytyrë, gjoks apo zona të tjera të trupit.

Për këtë arsye, alloClae po prezantohet si një zgjidhje më e shpejtë krahasuar me procedurat ku yndyra merret nga vetë pacienti.

Mjekët kërkojnë më shumë prova

Pavarësisht interesit të madh, komuniteti mjekësor mbetet i ndarë. Disa specialistë paralajmërojnë se mungojnë ende studime të mjaftueshme për të vlerësuar rezultatet afatgjata.

Ndër shqetësimet e ngritura janë komplikacione si dëmtimi i indit të injektuar, formimi i kokrrizave nën lëkurë, dhimbjet apo ndryshimet në pamjen e zonës së trajtuar.

Prodhuesi këmbëngul se deri tani nuk janë raportuar raste të konfirmuara të refuzimit apo infeksioneve, por disa kirurgë preferojnë të presin më shumë të dhëna para se ta përfshijnë gjerësisht në praktikën e tyre.

Përplasja mes mjekësisë dhe etikës

Përveç pyetjeve shkencore, metoda ka hapur edhe një debat moral. Kritikët ngrenë shqetësimin se përdorimi i indeve njerëzore për produkte estetike fitimprurëse mund të bie ndesh me frymën e dhurimit.

Ekspertë të bioetikës kanë vënë në diskutim faktin nëse donatorët dhe familjet e tyre kanë pasur një kuptim të plotë për mënyrën se si mund të përdoren këto inde.

Europa mbetet më e kujdesshme

Në disa vende europiane, specialistët janë më skeptikë ndaj kësaj qasjeje. Ata theksojnë se yndyra është një material biologjik kompleks dhe se ende nuk është vërtetuar plotësisht nëse indi nga një person tjetër mund të japë të njëjtat rezultate si yndyra e marrë nga trupi i pacientit.

Ndërsa industria estetike vazhdon të kërkojë alternativa të reja, alloClae është kthyer në një nga shembujt më të diskutuar të përballjes mes inovacionit mjekësor, dëshirës për ndryshim fizik dhe kufijve etikë.

 

yndyre te vdekurish trajtim estetik

Lini një Përgjigje