Një 57-vjeçar në Itali ka habitur efektivët e Policisë Rrugore me justifikimin që dha pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
I ndaluar në rrugën “Via Emilia”, pranë Castel San Pietro, drejtuesi i një furgoni u kontrollua fillimisht pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit. Por situata mori një tjetër drejtim kur policët vunë re një erë të fortë alkooli që vinte nga automjeti.
Sipas Policisë së Bolonjës, në fillim u mendua se aroma mund të vinte nga ndonjë shishe e thyer gjatë transportit, pasi 57-vjeçari deklaroi se në ngarkesën e tij kishte edhe pije alkoolike.
Megjithatë, pas kontrolleve rezultoi se burimi i erës nuk ishte ngarkesa, por vetë shoferi. Testi i alkoolit doli pozitiv dhe matja tregoi 1.73 gramë alkool për litër gjak, një nivel më shumë se trefishi i kufirit të lejuar prej 0.5 g/l.
Në përpjekje për të shpjeguar rezultatin, 57-vjeçari u tha policëve:
“Me siguri e kam tepruar me uthullën në sallatë!”
Justifikimi i pazakontë nuk i bindi aspak efektivët. Si pasojë, ndaj tij u nis procedurë për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa leja e drejtimit iu pezullua menjëherë.
Lini një Përgjigje