Reperi i njohur Pitbull ka shkruar historinë duke hyrë zyrtarisht në Librin Guinness të Rekordeve Botërore, pas një sfide të pazakontë që mblodhi mijëra fansa në Londër.
Gjatë koncertit të tij në BST Hyde Park, 22.141 admirues u shfaqën të veshur me kapele që imitonin kokën tullace të artistit, duke vendosur rekordin për grumbullimin më të madh të njerëzve me “bald caps”.
Rekordi u konfirmua të dielën nga gjyqtari i Guinness World Records, Will Munford.
Nisma ishte paralajmëruar prej muajsh nga Pitbull, emri i vërtetë i të cilit është Armando Christian Pérez, i cili kishte synuar ta kthente në një rekord botëror një traditë të nisur nga fansat e tij gjatë koncerteve.
Për disa turne me radhë, admiruesit e reperit paraqiten të veshur si ai, me kokë tullace, syze dielli dhe kostume elegante. Ky fenomen është bërë i njohur si lëvizja “Bald E”.
Por kjo nuk ishte e vetmja arritje e mbrëmjes. Koncerti i Pitbull në Hyde Park tërhoqi 69.999 spektatorë, duke u shndërruar në performancën me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e festivalit BST Hyde Park.
Spektakli nisi me hitin “Don’t Stop the Party”, ndërsa reperi performoi edhe këngë të njohura si “Hotel Room Service”, “International Love”, “I Feel Good”, “Time of Our Lives” dhe “Give Me Everything”.
Në skenë iu bashkuan edhe artistët Lil Jon dhe Kesha, me të cilët solli disa nga bashkëpunimet më të njohura, përfshirë hitin “Timber”.
Në fund të koncertit, Pitbull surprizoi publikun britanik duke interpretuar edhe “Wonderwall” të grupit Oasis, si një homazh për fansat vendas, ndërsa mbrëmja u mbyll me fishekzjarre mbi Hyde Park.
Turneu i tij “I’m Back Tour” ka shitur mbi 2 milionë bileta në 27 vende të botës, duke u kthyer në turneun solo më të suksesshëm të karrierës së reperit.
Lini një Përgjigje