Sipërmarrëse dhe shkrimtare, e angazhuar në politikë Anita Likmeta që jeton në Itali që nga viti 1997, po ndjek me pasion zhvillimet e vendit të saj, shkruan La Repubblica.
Në një intervistë për gazetën italaliane, shkrimtarja ka bërë thirrje për ndryshim, pasi sipas saj 12 janë shumë në pushtet.
Nëse do të fitonte përsëri Edi Rama?
«Kjo do të nënkuptonte fillimin e mandatit të tij të katërt dhe do të ishte institucionalizimi i një mungese: mungesa e një alternative të perceptueshme, e një zëri plural, e një fryme demokratike. Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri nuk është më një lider si të tjerët, por një habitat».
A janë mësuar shqiptarët me këtë gjendje?
«Ky lloj qëndrimi i zgjatur ka tendencën të ndryshojë jo vetëm strukturën e pushtetit, por edhe psikikën kolektive, duke zëvendësuar besimin me varësinë, mospajtimin me përshtatjen. Është pika në të cilën uni i pushtetit shkrihet me vetë imazhin e kombit: Rama nuk qeveris më vendin, por përfaqësimin që vendi ka për veten».
Cili është rreziku?
«Që edhe vetë koncepti i ndryshimit të bëhet traumatizues. Rreziku më i madh nuk është autoritarizmi i hapur, por forma e tij më elegante: konsensusi i zakonshëm, hegjemonia që maskohet».
Ai paraqitet si progresist dhe veprues. Dhe vë bast mbi Europën përmes afrimit me Italinë dhe operacionit në Gjadër.
«Narrativa e Ramës, progresiste në tone dhe ekzekutive në qëndrim, është një ndërtim i mençur. Ajo përzien gjuhën e Europës me gramatikën e një pushteti vertikal. Operacioni në Gjadër shërben për të forcuar kornizën e liderit-urë: ai që përkthen Shqipërinë në gjuhën e fuqive të mëdha. Por ajo që Rama shet nuk është një projekt europian, është një koreografi e europianizmit: valëvit pasaportën e anëtarësimit, ndërsa shumëzon paqartësitë demokratike»./ La Repubblica
Lini një Përgjigje