
Disa klube të Serisë A tronditen pasi rrezikojnë që t’u bllokohet merkato e transferimeve. Shkak për këtë është një parametër i ri i përfshirë nga Federata Italiane e Futbollit dhe që quhet ‘kosto e zgjatur e punës’.
Qeveria e futbollit në vendin e Apenineve, së fundmi miratoi uljen e nivelit të këtij parametri; nga qershori 2026 kufiri maksimal do të kalojë nga 80% në 70%, por këtu përjashtohen lojtarët U-23 italianë për të favorizuar më shumë akademinë e të rinjve dhe për t’iu dhënë më shumë frymëmarrje arkave të klubeve.
Sipas të përditshmes italiane ‘Il Messaggero’, ky skenar mund t’u shkaktojë probleme disa skuadrave duke nisur që nga janari dhe bëhet fjalë për Lacion, së cilës i është bllokuar tashmë merkatoja e transferimeve të verës, Napolin, Atalantën, Fiorentinën, Torinon dhe Xhenoan, me këto 5 të fundit që rrezikojnë që të tentojnë plusvalencat apo rritjen e kapitalit për të evituar bllokimin e merkatos së transferimeve.
Brenda 30 nëntorit, të gjitha klubet duhet të dorëzojnë bilancet për situatën e tyre deri më 30 shtator te Komisioni i ri, që do t’i vlerësojë përpara se t’i dërgojë në Federatë. Vetëm atëherë do të bëhet e qartë, nëse edhe këto klube të tjera do të provojnë në lëkurën e tyre atë që po përjeton Lacio.
Por shqetësimet nuk janë vetëm për sesionin e ardhshëm të merkatos. Që nga qershori 2026, klubet e Serisë A do të duhet të respektojnë parametrat e reja të UEFA për treguesit ekonomikë përndryshe do të sanksionohen me gjobë dhe bllokim të merkatos.
Lini një Përgjigje