
Ish-mbrojtësi i Interit, Fabio Macellari, është dënuar me tetë muaj burg dhe me një gjobë prej 1,800 eurosh nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Piacenzës, pas një hetimi të nisur në vitin 2019 nga Karabinierët e Bobbio.
Macellari, 50 vjeç, i cili ka luajtur në Serie A me skuadrat Lecce, Cagliari, Inter dhe Bologna gjatë fundviteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, u shpall fajtor për trafik droge, ndërsa u lirua nga dy akuza të tjera që rëndonin mbi të.
Deklaratat në gjykatë
Gjatë seancës dëgjimore, ish-lojtari pranoi se kishte përdorur kokainë në të kaluarën, por mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen në shitjen e drogës. “E përdora dhe i bëra dëm vetes, por kurrë nuk e lejova veten të shisja”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Edhe gjatë deklaratave spontane në seancë, Macellari këmbënguli se nuk kishte shitur kurrë lëndë narkotike.
Qendrimi i mbrojtjes
Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokatja Monica Giuppi, argumentoi se hetimi paraprak nuk kishte nxjerrë prova konkrete për shitje droge. Sipas saj, blerja e lëndës narkotike lidhej me një periudhë varësie që Macellari e kishte kaluar tashmë.
Rikthimi në burg dhe apeli
Pas shpalljes së vendimit, Macellari u dërgua në burgun e Novate në Piacenza, ku aktualisht po vuan një dënim tjetër prej pesë vitesh për vepra penale të mëparshme.
Ndërkohë, një apel kundër këtij vendimi është paraqitur dhe pritet të shqyrtohet në një fazë të mëvonshme nga Gjykata e Apelit.
Lini një Përgjigje