Një lajm i bujshëm vjen nga gazeta “Proionos Logos” në Greqi. Aty ku tregohet se Andi Lila bashkë me një biznesmen shqiptar, janë të interesuar për blerjen e Pas Janinës që ishte pjesë e Superligës së dytë greke.
Vetë Lila ka luajtur me klubin grek më tepër se 150 ndeshje në karrierën e tij. Emri i biznesmenit shqiptar që do jetë krah ish-futbollistit të Kombëtares, nuk bëhet i ditur.
PAS Janina kaloi një sezon të vështirë dhe me probleme financiare, ndërsa në edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e kategorisë së tretë.
Me një reagim personal, presidenti i Pas Janinës, Nikos Siontis ka sqaruar situatën rreth emrit të tij dhe zërave që kanë qarkulluar së fundmi për të ardhmen e PAS Janina. Ai mohoi kategorikisht raportimet që flisnin për takime dhe kontakte të ndryshme, duke theksuar se publikime të tilla po vështirësojnë përpjekjet tashmë delikate për të ardhmen e klubit.
Deklarata e tij vjen në një moment kur skuadra po kërkon stabilitet, ndërsa Siontis kërkoi përgjegjësi në publikimin dhe shpërndarjen e informacionit që lidhet me të.
Duke komentuar një publikim konkret, ai theksoi se përmbajtja e tij nuk pasqyron realitetin. Sipas tij, nuk është zhvilluar asnjë takim apo diskutim mbi çështjen e përmendur, ndërsa raportimet i cilësoi si “thashetheme, skenarë dhe spekulime”.
Ai shtoi se çdo zhvillim i rëndësishëm që lidhet me të dhe me veprimet e tij personale do të bëhet publik vetëm përmes deklarimeve të tij zyrtare, duke tentuar t’i japë fund spekulimeve që po qarkullojnë.
Siontis u ndal veçanërisht te ndikimi negativ që mund të kenë këto raportime për klubin nga Janina. Ai theksoi se përhapja publike e skenarëve të pakonfirmuar pengon përpjekjet që po bëhen nga palë të ndryshme për shpëtimin dhe të ardhmen e PAS Janina.
“Në një periudhë kaq kritike, thashethemet dhe spekulimet mund të ndikojnë vetëm negativisht në përpjekjet dhe diskutimet e vështira që mund të jenë në zhvillim”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe seriozitet në trajtimin e informacionit që lidhet me klubin.
Lini një Përgjigje