Italia vijon të mbajë gjallë shpresat për një pjesëmarrje të mundshme në Kupën e Botës, pavarësisht se nuk siguroi kualifikimin në fushën e lojës. Në qendër të diskutimeve është Paolo Zampoli, aktualisht Përfaqësues Special i Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale dhe Sportin, i cili po shihet si një nga zërat që po lobon për përfshirjen e “axurrëve” në rast se Irani vendos të mos marrë pjesë në turne.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Zampoli shpjegoi rolin e tij dhe lidhjen që administrata amerikane po i jep sportit.
“Kam dy shefa: Donald Trump dhe Marco Rubio. Ideja në lidhje me sportin erdhi nga Sekretari i Shtetit, sepse administrata Trump bazohet në biznes, biznes dhe biznes. Sporti është një çelës global për hapjen e shumë dyerve”, u shpreh ai.
Zampoli deklaroi se ka zhvilluar bisedime edhe për çështjen e Italisë, duke vënë në diskutim rregullat e FIFA-s për zëvendësimin e skuadrave që mund të tërhiqen nga turneu.
“Me mbështetjen e Trump, kontaktova Infantinon sepse rregullat e FIFA-s janë të gabuara në lidhje me zëvendësimin e një ekipi që nuk paraqitet dhe, nëse Irani nuk merr pjesë, Italia duhet të kualifikohet pasi e ka fituar turneun katër herë dhe është ekipi më i renditur në klasifikim që është përjashtuar”, deklaroi ai.
Megjithatë, zyrtarisht Irani nuk ka konfirmuar tërheqjen nga Botërori. Pavarësisht kësaj, Zampoli tha se situata mbetet e paqartë.
“Thelbi është të kuptosh se çfarë kanë në mendje iranianët dhe është shumë e vështirë t’u besosh atyre. Tani ata thonë se ekipi do të vijë, por çfarë ndodh me ndjekësit e tyre, të cilët janë shumë të padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara duke pasur parasysh atë që po ndodh? Loja ka filluar...”, tha ai.
Deklaratat e tij kanë ndezur debat edhe në opinionin publik italian, ku një pjesë e tifozëve e konsiderojnë të padrejtë një pjesëmarrje të Italisë përmes rrugëve diplomatike dhe jo sportive.
“Mund ta kuptoj, por si mendoni se do të reagonin italianët nëse skuadra kombëtare do të luante në Kupën e Botës? A do të brohorisnin sikur vetëm ne dimë si, apo nuk do t’i shikonin ndeshjet sepse nuk u kualifikuam në fushë?”, shtoi Zampoli.
Nga ana tjetër, pak ditë më parë ministri i Sportit në Itali deklaroi se kombëtarja nuk duhet të marrë pjesë në Botëror në asnjë rrethanë që nuk lidhet me meritën sportive.
Sipas tij, kualifikimi duhet të sigurohet vetëm në “fushën e blertë” dhe jo përmes ndërhyrjeve diplomatike apo vendimeve administrative.
Data 20 pritet të jetë vendimtare për këtë çështje, pasi përfaqësuesit e FIFA-s do të zhvillojnë diskutime me Federatën Iraniane të Futbollit për të sqaruar përfundimisht situatën.
Lini një Përgjigje