
Skuadra e Flick bind në La Liga, por dështimet në Champions League vazhdojnë të zbulojnë mungesën e ekuilibrit dhe pjekurisë
Barcelona po kalon një sezon që është i vështirë të përmblidhet me një fjali të vetme. Në Spanjë, skuadra ecën drejt titullit me një ndjesi superioriteti. Me lojtarë si Lamine Yamal, Raphinha, Pedri, Pau Cubarsí, Gavi, Fermin, Frenkie de Jong dhe Ferran Torres, katalanasit kanë ndërtuar një bazë solide jo vetëm për sezonin e ardhshëm, por për një cikël të tërë. Ekipi ka rikthyer agresivitetin, ritmin dhe vertikalitetin, si dhe ndjesinë e të qenit sërish një klub i madh.
Megjithatë, në Europë historia mbetet e njëjtë: eliminim i parakohshëm. Sipas analizës së mediave sportive ndërkombëtare, problemi nuk qëndron vetëm te fakti i eliminimit nga Champions League, por te mënyra si ndodh. Barcelona u eliminua nga Atletico Madrid, një skuadër që në La Liga qëndron pas tyre. Në kampionat, ekipi i Hansi Flick është më i fortë dhe më i qëndrueshëm; në ndeshjet me eliminim direkt, jo.
Ky kontrast përbën paradoksin kryesor të Barcelonës aktuale: skuadra është mjaftueshëm e fortë për të dominuar në Spanjë, por ende jo aq e pjekur për të mbijetuar në Europë. Në Champions League nuk fiton vetëm kush luan futboll më të bukur, por edhe kush menaxhon më mirë momentet e vështira, presionin, gabimet, lodhjen, vendimet e arbitrave dhe kaosin e lojës. Barcelona ka cilësi në lojë, por i mungon shtresa përfundimtare që karakterizon ekipet e mëdha.
Që nga triumfi në finalen e vitit 2015 kundër Juventusit, katalanasit nuk janë rikthyer më në finalen e Champions League. Në këtë periudhë, ata janë eliminuar në mënyra të ndryshme: nga Atletico, Juventus, Roma, Liverpool, Bayern Munich, PSG dhe Inter. Trajnerët, skuadrat dhe kontekstet kanë ndryshuar, por rezultati ka mbetur i njëjtë.
Ky eliminim i fundit ka peshë të veçantë, sepse Barcelona nuk është më një skuadër në tranzicion apo në krizë financiare. Ajo ka një ide loje, një trajner me përvojë dhe një bërthamë të re shumë të talentuar. Megjithatë, Europa tregoi se potenciali nuk mjafton pa aftësinë për të menaxhuar ndeshjet vendimtare.
Analiza e këtij dështimi mbështetet edhe te shifrat. Në këtë edicion të Champions League, Barcelona shënoi 32 gola në 12 ndeshje, mesatarisht 2.67 gola për ndeshje, një nivel elitar. Por në të njëjtën kohë pësoi 20 gola dhe nuk arriti asnjë ndeshje pa pësuar gol. Kjo tregon qartë problemin kryesor: mungesën e balancës.
Në dy sezonet e Flick në Champions League, skuadra ka shënuar 75 gola dhe ka pësuar 44 në 26 ndeshje. Këto nuk janë statistika të një ekipi të dobët, por të një ekipi të paekuilibruar. Sulmi funksionon në nivel të lartë, ndërsa mbrojtja nuk garanton stabilitet.
Stili i lojës së Flick bazohet në presion të lartë dhe lojë pranë portës kundërshtare. Kur funksionon, Barcelona duket dominuese. Por ky sistem ka kosto të lartë: nëse presioni thyhet, hapësirat në mbrojtje bëhen të mëdha dhe kundërshtari mund të godasë shpejt. Në La Liga, shumë ekipe nuk kanë cilësinë për ta shfrytëzuar këtë dobësi. Në Europë, kundërshtarët e bëjnë.
Barcelona është rikthyer si forcë dominuese në Spanjë, por për të arritur majat e Europës duhet të zgjidhë problemin e ekuilibrit dhe të fitojë pjekurinë që kërkojnë ndeshjet vendimtare.
Lini një Përgjigje