Kristiano Ronaldo është vënë në qendër të kritikave pas barazimit 1-1 të Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026.
Sipas mediave sportive, sulmuesi 41-vjeçar pati një paraqitje nën pritshmëri dhe nuk arriti të ndikojë në rezultat, në një sfidë ku vëmendja ishte e madhe mbi të. Performanca e tij u krahasua me formën e treguar së fundmi nga emra të njohur të futbollit botëror si Kilian Mbape, Lionel Mesi dhe Erling Haland.
Pas reagimeve kritike nga tifozët, motra e Ronaldos, Elma Aveiro, publikoi një mesazh në Instagram ku mbrojti vëllain e saj dhe pretendoi se Portugalia ishte “privuar nga fitorja”.
Edhe motra tjetër e futbollistit, Katia Aveiro, reagoi publikisht, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi kolektive brenda ekipit. Ajo theksoi se rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës nuk duhet t’i atribuohen vetëm një lojtari.
Sipas statistikave të raportuara nga mediat, Ronaldo vazhdon të mos gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjet e mëdha ndërkombëtare, duke regjistruar 10 takime radhazi pa gol që nga Kupa e Botës 2022.
Në aspektin sportiv, Portugalia kaloi e para në avantazh falë golit të Zhoao Neves, por Republika Demokratike e Kongos barazoi me anë të Joan Uisa, duke siguruar një pikë në sfidën e zhvilluar në Houston.
Në përfundim të takimit, Ronaldo u pa duke qendruar për disa minuta në fushë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, përpara se të largohej drejt tunelit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës përshëndeste tifozët në stadium.

Lini një Përgjigje