E përditshmja prestigjioze britanike “The Independent” ka publikuar një analizë kritike mbi situatën aktuale të Kombëtares së Portugalisë, duke e përshkruar ekipin si “10 burra dhe një statujë”, në një referencë të drejtpërdrejtë ndaj Kristiano Ronaldos.
Kritikat vijnë pas barazimit të papritur të Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos, ndeshje në të cilën sulmuesi 41-vjeçar nuk arriti të shënojë. Sipas analizës së gazetës britanike, ndikimi i Ronaldos në lojën e ekipit po bëhet gjithnjë e më i kufizuar, ndërsa prania e tij në fushë po konsiderohet nga kritikët si një pengesë për funksionimin optimal të skuadrës.
Gazetari Riçard Xholi e cilëson këtë ndeshje si një tjetër sinjal alarmi për trajnerin Roberto Martinez. Megjithatë, sipas tij, deri tani nuk ka asnjë tregues se tekniku portugez është i gatshëm të marrë një vendim të vështirë, siç do të ishte lënia në stol e një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit portugez.
Debati mbi rolin e Ronaldos në kombëtare është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes. Një pjesë e analistëve ndërkombëtarë argumentojnë se insistimi për ta mbajtur atë titullar po kufizon potencialin e një brezi të talentuar lojtarësh që Portugalia ka në dispozicion.
Sipas këtyre vlerësimeve, skuadra rrezikon të mos shfrytëzojë maksimalisht cilësitë e grupit nëse vazhdon të ndërtojë lojën rreth veteranit portugez. Ndërkohë, presioni ndaj trajnerit Martinez për të bërë ndryshime në formacion dhe qasjen taktike po rritet, ndërsa ecuria e Portugalisë në Botërorin 2026 mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të opinionit sportiv ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje