Sport 5 Dhjetor 2023, 22:53

De Biazi: Mendoj se Shqipëria do të jetë befasia e grupit në Euro 2024!

Shkruar nga Pamfleti

De Biazi: Mendoj se Shqipëria do të jetë befasia e grupit në

Ish-trajneri që çoi Shqipërinë për herë të parë në Kampionatin Europian, Xhani de Biazi, është i vetëdijshëm që kuqezinjtë janë në grup shumë të vështirë në EURO 2024 që zhvillohet në  Gjermania 2024.

Por trajneri italian shpreson që Shqipëria të paraqitet mirë dhe në fund të bëjë befasi të madhe. Shorti i tërhequr të shtunën e kaluar ka përcaktuar që Shqipëria të jetë në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

Të tre këto përfaqësuese janë superfuqi të futbollit dhe me sukseset të mëdha në dekadën e fundit. Ndërkohë Shqipëria luan për herë të dytë në Kampionat Evropian.

Ka debutuar në “Euro 2016”, pikërisht nën urdhrat e De Biazit. 67-vjeçari çmohet nga shqiptarët për faktin se siguroi paraqitjen e parë të kuqezinjve në një ngjarje të madhe futbolli.

Në “Euro 2016”, Shqipëria pësoi dy humbje para se të fitonte ndeshjen e tretë. U mposht 1-0 nga Zvicra dhe 2-0 nga Franca, si dhe fitoi 1-0 ndaj Rumanisë.

Grupi tani vlerësohet shumë më i fortë

Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë për Shqipërinë. Shqipëria ka ekip cilësor por mendoj se është e pamundur të krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë”, ka thënë De Biazi për “KOHA.net”.

Ai ka përmendur një anë pozitive të Shqipërisë për Evropianin në Gjermani.

Megjithatë në kohën kur mbahet Europiani, në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm, ndoshta Shqipëria mund të jetë më e freskët se ekipet e tjetra për shkak se vetëm Kristjan Asllani ka gjasa të luajë gjatë në Ligën e Kampionëve me skuadrën e Interit.

Përfaqësueset e tjera kanë më shumë lojtarë, siç është Spanja që në radhët e veta ka shumë futbollistë të Barcelonës dhe Realit, të cilët do të kenë ngarkesa dhe do të shpenzojnë shumë energji deri në fund të edicionit.

Nuk është aspak grup i lehtë për Shqipërinë, por duke pasur parasysh lodhjen dhe ngarkesat e lojtarëve të përfaqësueseve tjera me klubet e tyre, mendoj dhe shpresoj që Shqipëria do të jetë befasia e madhe e këtij grupi”, ka shtuar De Biazi.

Dy të parët në grup avancojnë në fazën nokaut të Europianit e po ashtu katër prej gjashtë përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë. Nën drejtimin e Silvinjos, Shqipëria kishte kualifikime dukshëm më të mira se ato të Euro 2016 me De Biazin.

Shqipëria fitoi grupin me Çekinë dhe Poloninë. Në kualifikimet për Euro 2016, Shqipëria  përfundoi prapa Portugalisë. Ishte më lart se Danimarka, Serbia dhe Armenia. De Biazi ka drejtuar Shqipërinë nga viti 2011 deri në vitin 2017. Pas largimit nga Shqipëria pati një periudhë të shkurtër në krye të Alaveshit në Spanjë.

Ndërkohë ka drejtuar Azerbajxhanin nga viti 2020 e deri pak javë më parë. Por me Azerbajxhanin nuk pati ndonjë sukses. Te Shqipëria aktualisht janë shumë të kënaqur me brazilianin Silvinjo.

Vakant është posti i trajnerit të Kosovës. Pas largimit të francezit Alen Zhires, trajner i përkohshëm ishte slloveni Primozh Gliha. Kontrata e tij ishte e vlefshme deri në fund të kualifikimeve për Euro 2024, që për Kosovën ishin të pasuksesshme. De Biazi është njëri prej emrave të përmendur si kandidatë për të marr drejtimin e Kosovës.

Ai është i gatshëm ta udhëheqë Kosovën, ndërsa vlerëson potencialin e “Dardanëve”. Por deri më tani nuk është kontaktuar. Sipas De Biazit, Kosova e ka potencialin për t’u kualifikuar në ngjarjet e mëdha të futbollit.

Deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë thirrje nga Agim Ademi apo dikush tjetër në Federatë. Kryesisht vetëm gazetarët kanë shkruar për situatën time. Por, nuk jam kontaktuar ende nga askush. Do te isha i lumtur nëse Kosova me fton, sepse mendoj se ka lojtarë të mirë dhe besoj se është e mundur të bëjmë diçka siç kemi bërë me Shqipërinë”, ka thënë De Biazi.

euro 2024 de biazi