Dik Advokat ka bërë një rikthim surprizë në futbollin ndërkombëtar, duke marrë sërish drejtimin e përfaqësueses së Kuraçaos në prag të Botërorit 2026. Trajneri holandez do të rikthehet në pankinë në moshën 78-vjeçare, çka e bën atë trajnerin më të vjetër që drejton një ekip kombëtar në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Vendimi vjen vetëm një muaj para nisjes së turneut, ndërsa më herët ishte konfirmuar largimi i papritur i Fred Ruten nga drejtimi i ekipit. Mediat sportive raportojnë se ndaj Ruten nuk kishte presion për t’u larguar, duke e bërë ndryshimin në pankinë edhe më të papritur.
Advokat ishte tërhequr nga futbolli rreth katër muaj më parë për arsye familjare, pasi kishte vendosur t’i përkushtohej kujdesit për vajzën e tij të sëmurë. Megjithatë, ai ka pranuar të rikthehet për të drejtuar edhe një herë ekipin me të cilin kishte arritur rezultate historike.
Kuraçao konsiderohet një nga vendet më të vogla që ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror, ndërsa rikthimi i Advokat i shton edhe më shumë vëmendjen historisë së kësaj përfaqësueseje në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje